Kryeministri Edi Rama sot ka zhvilluar takimet e radhës elektorale në qarkun e Shkodrës.
I ndalur në një takim me gratë dhe vajzat shkodrane, Rama u shpreh se nuk po u kërkon atyre që ta bëjnë dhëndër, pasi ai është i martuar, por po u kërkon mundësinë që PS të drejtjë bashkinë.
“Se ca do bëjnë ata të tjerët e keni parë në 31 vjet, nuk kanë për të bërë ndonjë gjë të re. Nuk dinë ta bëjnë, nuk duan ta bëjnë, nuk janë aty për atë punë.
Tani kanë edhe halle të mëdhaja. Na e jepni njëherë mundësinë, 4 vjet dhe pastaj shiheni këtë punë.
Nuk po ju them larg qoftë më merrni dhëndër mua. E para se jam i martuar, nuk kam ndërmend të ndahem dhe martohem më. E kam provuar edhe atë. Jo të gjithë e kanë fatin që të qëllojnë që me herën e parë, ka si puna ime që duhet të provojnë derisa të qëllojnë, por tani kam qëlluar nuk kam ndërmend të martohem prapë.
E dyta e punës nuk jam fare këtu që të vij t’ju futem në shtëpi, as t’ju ulem t’ju ha bukën. Ju dal në TV, por e keni shumë të lehtë. Këtu çështja është kush do ju pastrojë rrugën”, tha kryeministri.