Nga BUJAR QESJA

Çarja e rrethimit postkomunist, filloi gjërësisht pas vitit 1990. Largimet kanë qenë masive dhe nga koha kur kanë ndodhur, kanë kaluar 20 apo edhe 30 e ca vite. Nëse një durrsak ka lindur jashtë në vitin 1991-1992, i bie të jetë në moshën mbi 30 –të vjeçare. Jo pak. Durrsakët kanë tashmë pasaporta të huaja dhe janë nënshetas italianë, gjermanë, amerikanë, australianë, belgë, hollandez, luksemburgas, anglezë, spanjollë, zviceranë, norvegjezë, suedezë, danezë, grekë, bullgarë, rumunë, malazezë e gjithfarësh.

Koha e largët e ikjes nga Durrësi, atyre por edhe ne vendasve, na ka lëkundur jo pak memorien. Mosha jonë në rënie, shoqërohet edhe me zbehjen e kujtesës. Dhe skemi faj. Sa i takon fëmijve të miqve dhe shokëve tanë, mosnjohja tashmë është fakt i kryer. Jam për tjetër gjë në këtë shkrim, pasi më duhet që herë tjetër të ndalem tek mosfolja shqip e shqiptarëve dhe durrsakëve tanë, duke mos ia transmetuar pasardhësve të tyre.

Ragip Sukaj, volejbollist i njohur i “Lokomotivës” së viteve 70-të, diku nga 1998-ta, është në qytetin Atlantik Siti, në shtetin amerikan të Nju Xhersit, së bashku me bashkshorten e dashur Xhemile Nazifin dhe tri djemtë nga më të mirët. Erdhi në vendlindje prej disa ditësh dhe përgatitet të fluturojë drejt rikthimit në Amerikën e largët, por shumë të shtrenjtë për jetën dhe kataninë e tij.

Para se të ikte, më takoi dhe pimë kafen e mallit dhe përjetimeve miqësore. Por tek ky konaku im, ndodhin dhe provokohen histori nga më të ndryshmet dhe nga më origjinalet. Janë histori njerëzore, që të prekin, të ngacmojnë shpirtin, e ta bëjnë zemrën të këndojë me zë të lartë. Kujtuam me Gipen, e çfarë nuk kujtuam, me frymë dhe të larguar nga bota e prekshme. Dhe e shuam me ujët e kujtimeve, zjarrin e mallit të pazbehur.

Sebepi i këtij shkrimi, siç sebepe të tilla ka me dhjetra, që përplasen në këtë jetën time dhe në këtë konakun tim aq të domosdoshëm, për të më vënë në lëvizje mokrrat e trurit, u bë krejt rastësisht ky dialog ndërmjet dy durrsakësh, që jetojnë në vende të ndryshme. Ramiz Dizdari banon në Durrës, ndërsa Ragip Sukaj në Nju Xhersi të Amerikës.

Dizdari kalon në trotuarin, ku unë dhe Gipja po bisedonim. Sapo e pa, amerikani ynë durrsak, foli me zë pak mbi normalen, i vënë në lëvizje nga turbinat të gjithkohshme në punë të kujtimeve dhe të mallit, kur bie fjala për Durrësin dhe durrsakët.

-O Ramiz, Ramiz! Ndalu pak! Nuk po më njeh?

-Jo!

-Megjithë mend, nuk po më njeh! Më shiko me vëmëndje!

-Po. Por kam vështirësi. Duhet të jenë shumë vite pa të parë dhe kujtesa nuk po më ndalet. Kemi patur halle vëlla, halle dhe nuk jemi më ato të parët! Por më vika keq, që po e vonoj reagimin.

-Gipja jam, Gipe Sukaj! Volejbollisti i Krenar Golashit.

-Më fal Gipe, kam kujtesë të dobët! Por më vjen pak si larg emri dhe kujtimi për ty. Më fal vëlla, ma bëj hallall!

Ramiz Dizdari, gruaja e të cilit është ndarë nga jeta prej vitesh, largohet duke kryer ritin e zakonshëm të mirupafshim, pasi uli kryet dhe çapiti me hap të qetë dhe të ngadalshëm.

-Ky Bujar, më thotë Gipja, pas largimit të Dizdarit, në mos gaboj ka për grua motrën e Perikli Kasapit, të mirnjohurit të volejbollit durrsak. Nuk e dija se i paska ndodh fatkeqësi. Ngaqë po i shikojmë rrallë durrsakët tanë, veçanërisht ato që i njohim, ndjehemi në vështirësi. Janë të plakur dhe të ndryshuar nga ajo pamje, që janë fiksuar në kujtesën tonë.

“Nuk po më njeh. Më shiko me vëmendje”, gjykova të jetë shkrim me temë shoqërore, por shumë koherent dhe i shtrirë në momentet e tanishme. I çmoj, i respektoj dhe i vlerësoj dashamirësinë, që shprehet jo pak për punët e mia të profesionit. Kam dashuri për Durrësin, vendlindjen time dhe për durrsakët miqtë dhe shokët e mi më të shtrenjtë.

Prandaj edhe kam zgjedhur këtë rrugë të vështirë, por shumë nderuese, të punoj me sa mundem dhe si të mundem, për të mbajtur gjallë mbresat dhe kujtimet për njëri tjetrin.

“Nuk po më njeh, më shiko me vemëndje”, po kthehet si një refren për shqiptarët, për konkretisht për durrsakët tanë, për kohën e gjatë të mos takimeve, duke dëmtuar imazhin e miqësive të hershme. Konaku im i përbashkimit, po e kryen edhe këtë mision aq të dobishëm, pasi riaktivizon në përmasa të reja, miqësitë dhe shoqëritë e hershme, të cilat me kalimin e viteve vijnë e fashiten deri në dhimbje.

“Nuk po më njeh, më shiko me vëmëndje”, të ngjall shpresën e kujtesës, ashtu sikundër të mërzit dhe të trishton sadopak. Largësia ndikon. Njerëzit po takohen rrallë e më rrallë. Distancat, hallet dhe dertet, treguesit ekonomikë, ndikojnë që njerëzit të lëvizin e të gjejnë veten aty ku mundet. Por po shoqërohet edhe me këtë “nuk po më njeh, më shiko me vëmëndje”.

Le të bëhet më mirë për durrsakët, kudo që ato ndodhen. Kështu më takon t’i mbyll këto rradhë, pak orë para nisjen për në Nju Xhersi, të mikut tim dhe durrsakut të përmallshëm dhe të përbetuar Ragip Sukaj.

Bujar Qesja

Durrës: 8 tetor 2024

Foto 1

Në pamje, nga e djathta: Ragip Sukaj që jeton në Nju Xhersi të Amerikës dhe

Bujar Qesja, në konakun e tij në Durrës.

Foto 2

Ragip Sukaj, gjatë një ndeshje volejbolli, në kohën kur luante me “Lokomotivën”.

Foto është e vitit 1976.