Janë proceduar penalisht 7 punonjës të sigurisë dhe drejtuesi i njërit prej departamenteve të një kompanie telefonike në zonën e Laprakës. Sipas policisë, rreth orës 02:30 të datës 25 dhjetor 2024, në ambientet e kësaj kompanie janë futur 2 persona të maskuar, nga dera e pasme. Këta të fundit kanë marrë sende dhe kanë shkaktuar dëme materiale.
Kjo gjë është konstatuar nga njëri prej punonjësve të sigurisë, i cili bashkë me të tjerët nuk e kanë kallëzuar rastin në organet kompetente.
“Në përfundim të veprimeve procedurale, Komisariati i Policisë Nr. 3 referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për veprat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndaj: 2 punonjësve të sigurisë së brendshme të kompanisë, shtetasve G. K., 50 vjeç dhe A. F., 31 vjeç, si dhe drejtuesit të departamentit të zyrave dhe pasurisë të kësaj kompanie telefonike, shtetasit E. S., 38 vjeç.
Po ashtu nisi procedimi penal për veprën “Moskallëzimi i krimit” ndaj: drejtuesit teknik dhe 4 punonjësve të grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë, shtetasve A. Z., 54 vjeç, G. S., 40 vjeç, K. V., 63 vjeç, M. D., 55 vjeç; dhe I. T., 62 vjeç.
Hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për të verifikuar nëse janë përmbushur detyrimet ligjore dhe kontraktuale nga shoqëria private e sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.