TIRANË, 9 prill 2013 – Mosshlyerja e kredisë prej 1 milion euro që ka marrë një kompani në Tiranë te Banka “Societe Generale Albania” sha, i kushton sekuestrimin e 6 parcelave që ka vënë si “peng”.

Banka e famshme synon të fitojë minimumi 1 milion e 74 mijë euro nga shitja e 6 parcelave me sipërfaqe gjithsej 30912 metra katrorë në fshatin Xhafzotaj, pas tenderit që do të zhvillohet më 16 prill 2013.

I bie një çmim mesatar 34.75 euro metri katror.

Më 28 mars 2013, Banka “Societe Generale Albania” sha ka kërkuar zbatimin e urdhrit të ekzekutimit, datë 18.09.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për debitorin.

Pasuria prej 6 parcelash prej 30912 metra katrorë në fshatin Xhafzotaj është pronë e palës debitore “A&A Internacional” shpk dhe hipotekuar në favor të kreditorit “Societe Generale Albania” sha, me kontratën e hipotekimit nr. 7150 rep., nr. 2001 kol., dt. 22.07.2010, për të garantuar shlyerjen e plotë të detyrimit të kredimarrësit sipas kontratës së kredisë akorduar në shumën 1,000,000 euro, ashtu siç parashikohet në kontratën e kredisë.

Çmimi i sendit me të cilin do të fillojë shitja (çmimi fillestar i ankandit në zbatim të nenit 577 Kodit të Procedurës Civile, si dhe Udhëzimit  nr. 5, date 12.12.2012 “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për zhvillimin e ankandit nga përmbaruesi gjyqësor”) për të gjitha pasuritë e sipërcituara është: 1074246.59 euro, njofton shërbimi përmbarimor “Zig”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/