ITALI, 22 shkurt 2013 – Zgjedhësit italianë të dielën do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e tyre të re, por edhe përfaqësuesit e tyre lokalë në disa rajone të vendit. Po ndërsa gara politike është mjaft e fortë dhe e ndezur agjencia italiane e lajmeve ANSA publikon disa kuriozitete dhe shifra lidhur me zgjedhjet e së dielës.
Ajo që i ka habitur më shumë italianët, krahas rikthimit edhe njëherë në garë të ish kryeministrit Silvio Berluskoni, është kandidimi i një të moshuari, as më pak e as më shumë po 94 vjeç. Ndërkohë kandidati më i ri në garë është 25 vjeç.
Ndërkohë kostoja e përgjithshme e këtyre zgjedhjeve llogaritet në 389 milion euro. Në këto zgjedhje pritet t’u drejtohen kutive të votimit rreth 50.5 milion votues, duke përfshirë këtu dhe votuesit jashtë Italisë. Qytetarët italianë jashtë vendit mund të zgjedhin 6 senatorë dhe 12 deputetë.
Zgjedhësit që votojnë për herë të parë janë plot 2.932.579. Në total janë shtypur gjithsej rreth 133 milion fletë votimi për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/