Përfaqësues të disa subjekteve private që deri para tërmetit të vitit 2019 ushtronin aktivitetin në pallatin nr.30 në lagjen nr.5 të Durrësit kanë protestuar sot para bashkisë.
Që nga viti 2024, kur përfundoi rindërtimi i pallatit, ata kanë pritur nga bashkia rikthimin e pronave të tyre, të cilat i dispononin me certifikatë pronësie.
Ditët e fundit kanë mësuar që në katin e parë të pallatit të rindërtuar do të vendosen zyrat e njësisë administrative nr.3, ndërkohë që nuk është bërë asnjë lëvizje nga ana institucionale për t’u rikthyer pronat.
“Kemi qenë biznese të pajisura me licensë aktive deri në vitin 2019. Pasi ndodhi tërmeti, që shkatërroi gjithçka nga komuna dhe bashkia na është premtuar që të bënim dokumentacionin përkatës dhe në momentin, që do të rindërtohej objekti do merrnim objektin që kemi pasur”.
“Pas prishjes së pallatit neve na është premtuar që do të marrim po të njëjtat prona, në po të njëjtin objekt ku kemi pasur pronësinë. Ne zotërojmë certifikatën e pronësisë. Kohët e fundit kemi pasur disa lëvizje nga komuna, sepse ambientet duan t’i bëjnë zyra për komunën në pronat, ku ne jemi pronarë”,– thanë disa nga protestuesit.
Në pallatin nr.30, në rrugën “Hysen Myshketa” kati i parë ku më parë ushtronin aktivitetin 5 biznese qëndron i zbrazët, ndërsa bashkia nuk i ka kthyer përgjigje qytetarëve, pavarësisht insistimit të tyre.
“Nga viti 2024 deri më sot kemi bërë mbi 10 kërkesa dhe s’kemi marrë asnjë përgjigje nga bashkia se çfarë do të bëhet me pronat tona”,- thotë pronari i një furre buke, që ushtronte aktivitetin në pallat deri më nëntor 2029.
Pas interesimit që “DurrësLajm” bëri në bashki na u tha se referuar aktit normativ nr.9 dhe VKM-së për rindërtimin, rindërtohen vetëm banesat e qytetarëve dhe jo ambientet e tyre të biznesit.
M.B.





