Këtë javë, Valdya Baraputri ishte planifikuar të raportonte drejtpërdrejt nga Kuvendi Kombëtar Republikan. Në vend të kësaj, ajo dhe një koleg i saj hipën në një avion për t’u kthyer në vendin e origjinës, Indonezi, pasi Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM) nuk u rinovoi vizat J-1 që u mundësonin atyre të punonin për “Zërin e Amerikës”. Valdya Baraputri është një prej të paktën 15 gazetarëve të shërbimeve të “Zërit të Amerikës” në gjuhë të ndryshme që pritet të kthehen në vendet e tyre të origjinës gjatë javëve të ardhshme.
Përtëritjet e vizave J-1 erdhën ndërsa drejtuesit e rinj të USAGM-së kanë nisur rishikimin e lejeve të specializuara të hyrjes për individë me aftësi të veçanta. Vizat e të paktën 20 gazetarëve, mes tyre edhe disa që kanë ardhur nga vende autoritare, do të skadojnë deri në fund të vitit. “Zëri i Amerikës” i cili transmeton në 47 gjuhë të ndryshme, mbështetet tek njohuritë e specializuara rajonale, kontaktet dhe aftësitë gjuhësore të ofruara nga gazetarët e saj që vijnë nga e gjithë bota. USAGM-ja, që mbikëqyr “Zërin e Amerikës” dhe katër agjenci të tjera, njoftoi muajin e kaluar se po kryente një vlerësim rast pas rasti të aplikimeve për rinovim e vizave J-1. Shefi ekzekutiv është përgjegjës për dhënien e miratimit përfundimtar për rinovimin e vizave të paraqitura nga gazetarët.
Shqyrtimi i vizave
Rishikimi ka për qëllim përmirësimin e menaxhimit të agjencive, mbrojtjen e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe të garantojë që të mos keqpërdoret autoriteti i marrjes në punë, tha një zëdhënës i USAGM-së në një deklaratë në muajin korrik.
Ata që kanë vizë J-1 në “Zërin e Amerikës” thonë se agjensia nuk arriti të komunikojë qartë me ta lidhur me statusin e tyre. Anëtarë të Kongresit, ekspertë të të drejtave të medias dhe ish-anëtarë të stafit me pozicione të rëndësishme në USAGM thonë se rishikimi i vizave është një nga disa çështjet shqetësuese që po trajton Michael Pack që prej momentit që u emërua shef ekzekutiv në muajin qershor. USAGM-ja nuk iu përgjigj kërkesave të Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun në “Zërin e Amerikës” për komente apo të dhëna më të fundit që lidhen me shqyrtimin e vizave.
Në një deklaratë të premten, ligjvënësi Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve tha se USAGM-ja dështoi t’i kthejë përgjigje Kongresit mbi procesin e rinovimit të vizave.
“Nuk është e drejtë që një agjenci qeveritare amerikane të krijojë një frikë e pasiguri të tillë tek ata njerëz të cilëve u kemi kërkuar të bëjnë punën”, tha zoti Engel. “Përpjekjet e Kongresit për të kërkuar përgjigje nga USAGM-ja për këtë çështje janë përballur me heshtje. Është e qartë se agjensia thjesht po përpiqet të tejkalohen afatet derisa gazetarët të detyrohen të largohen”, shtoi ai.
Zoti Pack pritet të dëshmojë para komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve më 24 shtator. Zoti Engel, përfaqësues i Partisë Demokrate për Nju Jorkun, paralajmëroi se disa gazetarë të “Zërit të Amerikës” ndodhen në rrezik, veçanërisht ata që do të kthehen në vende autoritare të cilat burgosin apo sulmojnë rregullisht median.
“Z. Pack ka ende kohë të veprojë për të zgjidhur këtë situatë, por mos mendoni se ai nuk do të jetë përgjegjës për atë që vjen më pas. Çdo dëm që u shkaktohet këtyre individëve të guximshëm, do të jetë rezultat i drejtpërdrejtë i mosveprimit të Michael Pack”, tha zoti Engel. Gazetarët e “Zërit të Amerikës” të detyruar të largohen nga SHBA-ja për shkak të rishikimit të vizave të tyre, thanë se ishin të hutuar dhe në disa raste të zemëruar.
“Ndihem sikur jam ndëshkuar pa asnjë arsye”, tha zonja Baraputri, e Shërbimit Indonezian të “Zërit të Amerikës”.
Ajo tha se departamenti i burimeve njerëzore të USAGM-së nuk i kishte dhënë përgjigje pyetjeve të saj apo nuk ishte treguar i gatshëm për të komunikuar dhe se arsyet e dhëna për rishikimin ishin të paqarta pasi siç tha gazetarja, ajo kishte kaluar nëpërmjet një procesi kontrolli të gjerë të së shkruarës së saj gjatë procesit të marrjes në punë.
“Pack-ut do t’i duhen ende gazetarë ndërkombëtarë për të kryer misionin e “Zërit të Amerikës”, tha zonja Baraputri.
Një gazetar i cili kërkoi të mbetet anonim, viza e të cilit ka skaduar gjithashtu, kritikoi mungesën e komunikimit.
“Ne po trajtohemi sikur jemi fajtorë pa e ditur se si do të zgjidhet çështja jonë”, tha gazetari, duke shtuar se burimet njerëzore nuk i kishin dhënë përgjigje, por vetëm i kishin sugjeruar data për udhëtimin drejt vendit të origjinës. Gazetari tha se vendimi ishte tejet i pamëshirshëm për stafin ndërkombëtar që tashmë ndodhet ligjërisht në SHBA e që ka hequr dorë nga vizat që kanë pasur, për shkak se “Zëri i Amerikës” u bëri një ofertë pune. Disa kanë jetuar në SHBA prej vitesh dhe kanë pak lidhje me vendin e origjinës ku pritet të kthehen.
“Kishim një vizë, punë dhe ndodheshim ligjërisht në SHBA. Ishim të lumtur që iu bashkuam VOA-s. Por nuk e prisnim që kjo gjë të na e kthente jetën përmbys”, thotë gazetari. “Pyes veten nëse rishikimi ka ndodhur vërtet. Do të kthehemi në shtëpi pa marrë vesh çka ndodhur”, thotë ai.
Grupet që mbrojnë lirinë e shtypit
Grupet që mbrojnë lirinë e shtypit në SHBA përfshirë Komitetin e Reporterëve për Lirinë e Shtypit (RCFP) dhe PEN America e kanë kritikuar këtë veprim.
“Pikërisht atëherë kur bota ka nevojë për lajme të besueshme, e të sakta, udhëheqësi i USAGM-së po i kthen në shtëpi gazetarët që dinë më së miri se si ta përçojnë lajmin”, thotë për “Zërin e Amerikës” Gabe Rottman, drejtor i Projektit të Teknologjisë dhe Lirisë së Shtypit në RCFP.
Disa ligjvënës mes tyre senatorët republikanë Marco Rubio dhe Lindsey Graham, senatori demokrat Richard Durbin e të tjerë theksuan rolin e rëndësishëm që luan VOA dhe transmetuesit e tjerë USAGM-së në luftën ndaj informacionit të rremë dhe garantimit të lajmeve të besueshme për audiencën në vende autoritare si Irani, Rusia dhe Kina. Në një letër drejtuar zotit Pack muajin e kaluar, pasi ai shkarkoi nga detyra drejtuesit e disa agjencive përfshirë Radio Azinë e Lirë dhe Radio Evropën e Lirë, senatorët paralajmëruan se “aktorë keqdashës” në ato vende po “kufizojnë fort lirinë e shtypit vendas për të penguar qasjen e qytetarëve të tyre ndaj informacionit të pavarur”.
Sanford Ungar, drejtor i “Zërit të Amerikës” gjatë administratës së presidentëve Bill Clinton dhe George W. Bush dhe aktualisht drejtor i Projektit për Fjalën e Lirë në universitetin Georgetown, ngriti pikëpyetje rreth motiveve që qëndrojnë pas rishikimit të vizave.
“Ky është një gabim i tmerrshëm dhe një goditje direkte mbi aftësinë e “Zërit të Amerikës” për të kryer detyrat e saj legjitime. Kjo do ta dobësojë agjencinë dhe do ta bëjë atë më të zbuluar ndaj sulmeve politike”, tha zoti Ungar për “Zërin e Amerikës”, duke shtuar se kjo do ta bënte më të vështirë për transmetuesin që të mbronte integritetin e tij nga sulmet armiqësore të qeverive të huaja.
Këtë javë, media e kontrolluar nga Pekini akuzoi pa fakte disa shtetas kinezë të cilët punojnë si gazetarë për “Zërit të Amerikës” se veprojnë si “megafonë të qeverisë”. Në një editorial të postuar në internet më 23 gusht, autoritetet e Pekinit thanë se shtetas të tjerë kinezë që punojnë për Shtetet e Bashkuara duhet të mbajnë shënim e të shohin atë që po ndodh me gazetarët e huaj të “Zërit të Amerikës”. “Ata që kanë ende iluzion se qeveria amerikane do t’i mbrojë nëse ata shesin vendin e tyre dhe punojnë për SHBA-në, vetëm sa do të poshtërohen në mënyrë të përsëritur nga Presidenti Donald Trump”, thuhet në shkrimin e botuar në internet në gjuhën kineze.
Në komentet gjatë një aktiviteti në internet më 11 gusht të organizuar nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, zoti Ungar u shpreh se: “sulmi ndaj “Zërit të Amerikës”, përpjekja për ta penguar atë të bëjë punën, është një sulm ndaj lirisë së informacionit në shumë vende të botës aty ku ky shërbim është shumë i nevojshëm”.
Përgjigjja e agjencisë (USAGM)
Drejtori i Përgjithshëm i USAGM-së Michael Pack ka mbrojtur vendimin për rishikimin e vizave si dhe të përpjekjeve për të përmirësuar sigurinë, duke thënë se ai po i ndërmerr këto veprime pas viteve të tëra me probleme të kësaj natyre të ngritura vazhdimisht. Drejtori i ri i Përgjithshëm është përqendruar tek kontrolli i së shkuarës, historiku profesional si dhe aktiviteteve të tjera të punonjësve si çështje që paraqesin shqetësim.
Në një raport të publikuar nga shefi ekzekutiv i USAGM-së thuhet se problemet me vettingun e punonjësve (verifikimin e pastërtisë së figurës së tyre), përfshirë disa shtetas të huaj, datojnë pothuajse një dekadë më parë. Grant Turner, ish-shef ekzekutiv dhe zyrtari kryesor për financat i agjencinë, i cili është një prej të paktën shtatë anëtarëve të stafit që USAGM-ja i shkarkoi përkohësisht nga detyrat e tyre më 12 gusht, lidhur me hetimet mbi çështjet e sigurisë, thotë se rishikimi i çështjeve të sigurisë dhe çështja e vizave J-1 janë pjesë të një modeli keqmenaxhimi të ndeshur në muajt e fundit. Zoti Turner i tha “Zërit të Amerikës” se humbja e stafit të shërbimeve në gjuhë të ndryshme të “Zërit të Amerikës” mund të çojë në humbje të audiencën thelbësore të “Zërit të Amerikës” në vende si Irani, Kina dhe Venezuela, ku qytetarët kanë qasje shumë të kufizuar tek informacionet e pavarura. Ai shtoi se mosrinovimi i vizave ishte “një shkelje e premtimit” që agjensia u ka bërë gazetarëve të huaj që erdhën për të punuar për “Zërin e Amerikës”.
USAGM-ja thotë se zoti Turner dhe të tjerë anëtarë të stafit janë shkarkuar përkohësisht nga përgjegjësitë e tyre për të rivendosur siç u tha “respektin ndaj sundimit të ligjit në punën tonë”. Por zoti Turner hedhi poshtë arsyet e dhëna për shkarkimin e tij.
Statusi i vizës J-1
Që nga viti 1961, Programi për Shkëmbimin e Vizitorëve i cili përfshin vizat J-1, ka ofruar mundësi punësimi afatshkurtër në Shtetet e Bashkuara për profesionistë, mësues e studentë të huaj. Në prillin e këtij viti, Presidenti Trump lëshoi një urdhër që pezullonte pjesë të emigracionit për arsye ekonomike, si pjesë e masave që synojnë të ndihmojnë tregun amerikan të punës gjatë pandemisë së koronavirusit. Një proces gjyqësor që kundërshton ligjshmërinë e këtij urdhri nuk ka përfunduar ende. Stephen Yale-Loehr, profesor i ligjit të imigracionit në “Cornell Law School” dhe bashkautor i “librit me udhëzime për vizat e llojit J”, i tha “Zërit të Amerikës” se ata që kanë një vizë J-1 si dhe të tjerë që kanë viza që bazohen tek punësimi, i sjellin SHBA-së “përfitime të konsiderueshme ekonomike”.
“Shumë nga këto viza janë të specializuara dhe në varësi të natyrës së punës mund të mos jetë e mundur që një punëdhënës të gjejë një punëtor amerikan për t’i zëvendësuar ata”, shton ai.
Zoti Yale-Loehr thotë se ndërsa ata që kanë dalë garantë për marrjen e vizës nuk kanë detyrime ligjore për të rinovuar vizat e punonjësve “ata mund të kenë një detyrim moral nëse po i dëmtojnë punonjësit e tyre që kanë një J-1”.
Ata që kanë vizë J-1 dhe i druhen persekutimit nëse kthehen në vendet e tyre të lindjes kanë të drejtë të kërkojnë azil, thotë zoti Yale-Loehr.
Zonja Baraputri, e cila bashkëdrejton një program javor lajmesh për shërbimin indonezian të VOA-s, thotë se është shumë më e lehtë për të mbuluar nga SHBA-ja çështje që konsiderohen të ndjeshme në Indonezi.
Krahas humbjes së vendit të punës, gazetarët janë të detyruar të kthehen në vendet e tyre gjatë pandemisë së koronavirusit. Në rastin e zonjës Baraputri, asaj do t’i duhet të paguajë dy javë qëndrim në një hotel ku do të kryejë karantinën përpara se të kthehet në shtëpinë e saj në Xhakartë./ Zëri i Amerikës