Pa bonus qiraje dhe pa shtëpi, 65 familje në Durrës kanë mbetur në pikë të hallit. Bëhet fjalë për pallatin nr.15, pranë tregut të vogël industrial, i dëmtuar rëndë nga tërmeti i 5 viteve më parë. Ditën e sotme, një përfaqësi e banorëve u mblodh para bashkisë, pasi kërkojnë me ngulm nga autoritetet një përgjigje konkrete për riforcimin e pallatit, sepse janë në kushte ekstreme ekonomike.
“Ka arritur kulmi, nuk po durojmë dot më. Jemi të sëmurë, jemi pensionistë, cfarë do të bëhet me pallatin tonë. Ku t’i gjejmë ne lekët? Na sëmurën”.
“Bashkia nuk i është përmbajtur kontratës që ka bërë me ne. Në kontratën thuhej se ditën që hyjmë në shtëpi, ndërpritet bonusi”.
“Unë një pension 180 mijë lekë të burrit kam. Vetë jam e papunê, e sëmurë. Çfarë të bëj? Në datën 1 më erdhi qeraxhiu më kërkoi qiranë. Desha, s’desha i dhashë paratë. Po vetë me çfarë të ushqehem? Nuk vdesim dot me zor”.
“Ka nëna të vetmuara, ka të moshuar. Të tjerët janë futur nëpër shtëpia të reja, ne rrimë e presim. Kryeministri ka folur vetëm për qytetarët e Tiranës, apo të gjithë Shqipërisë? Tirana e merr bonusin, ndërsa Durrësi asigjo”. ,- thanë ndër të tjera banoret e pallatit ku deri në 26 nëntor 2019 banonin 65 familje.
Pallati në fjalë është përfshirë në listën e 7 godinave që do të riforcohen me fondet e bashkisë Durrës. Institucioni i qeverisjes vendore është në pritje të vendimit nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit për dhënien e aprovimit lidhur me këto 7 godina dhe më pas do të zhvillohen procedurat e tenderit për riforcimin e pallateve me dëme të shkallës DS4.
M.B.