“Nuk vrau tërmeti! Vrau shteti!”, “Paratë për rindërtimin, jo për krimin!”, “Shtëpia ku ishte! Larg duart nga prona ime”,  ishin vetëm disa nga pankarta që u vendosën mbrëmjen e sotme në muret e gjykatës së Durrësit.

Një protestë simbolike kundër vendimit të gjykatës së Durrësit që shpalli të pafajshëm ish-zyrtarët shtetërorë të përfshirë në hetimet për dosjen “Tërmeti” zhvilluan pasditen e sotme të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së.

Me qirinj të ndezur dhe pankarta të vendosura në muret e gjykatës, të rinjtë shprehën indinjatën e tyre për atë që e cilësuan vendim i padrejtë i gjyqësorit dhe mos dhënie drejtësie për viktimat e pafajshme të fatkeqësisë natyrore

“Jeta e njeriut këtu nuk vlen fare. Ata që duhet të ishin brenda në burg, sot janë shpallur të pafajshëm. Ne e dinim që nuk do të dënohej asnjë. Kemi ardhur këtu për të treguar se këta i kanë të gjitha në dorë, përfshirë edhe drejtësinë”,- tha ndër të tjera kreu i FRPD Durrës Shyqyri Myrtollari.

Sipas tij, protesta e sotme e të rinjve do të pasohet nga ajo e datës 12 nëntor, e thirrur në kryeqytet nga lideri i demokratëve Sali Berisha.

Gjykata e Durrësit shpalli sot të pafajshëm 4 ish-zyrtarët e administratës lokale të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh lidhur me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019, në objektet që u shkatërruan duke sjellë dhe pasoja në njerëz.

Gjykata ka lënë të lirë ish-kreun e ALUIZNI-t Flamur Gjuzin, ish-drejtorin e IMT-së Artur Çelën, Artur Terziun dhe Nevjana Isufin.

Dënim me kusht është dhënë për Albrend Qetka, Skerdi Bello dhe Aldo Dakovelli.