Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, u shpreh në një interv istë për Euractiv se Shqipëria nuk do të zgjasë marrëveshjen e saj të migracionit me Italinë përtej vitit 2030, me argumentimin se deri atëhere do të jemi në BE e nuk do të kishte më kuptim.
Përmes një postimi në platformën “X”, Hoxha cilëson se nuk është një vendim, por një reflektim i çastit.
Po kështu, ai shkruan se kjo deklaratë nuk duhet marrë si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë lidhur me protokollin.
“Një sqarim i nevojshëm:
Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.
Unë iu përgjigja duke thënë: “Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe.”
Ka qenë kaq e thjeshtë. Nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet. Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin.
Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt sesa argumenti, logjika dhe konteksti. Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive”, shkruan ministri në platformën “X”.
Qeveria e Giorgia Melonit po i përdor dy qendrat në Gjadër dhe Shëngjin si qendra paraburgimi për migrantët që nuk arritën të fitonin azil në Itali.
Kjo është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga qeveritë evropiane për të zhvendosur praninë fizike të migrantëve jashtë kufijve të tyre.
Marrëveshja pesëvjeçare u ratifikua në fillim të vitit 2024 dhe është shoqëruar me polemika politike dhe probleme ligjore.





