Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka raportuar rritje rekorde të numrit të të infektuarve me koronavirus brenda një dite, teksa Amerika Veriore dhe ajo Jugore kanë qenë në krye të listës.

Kjo Organizatë ka thënë se numri total i rasteve të reja në 24 orët e fundit ka arritur në 183,020, dhe më shumë se gjysma – 116,000 – kanë qenë në territoret amerikane.

Në një raport më të detajuar, Brazili ka raportuar më së shumti raste, plot 54,771, Shtetet e Bashkuara kanë qenë të dytat, me 36,617 dhe India e treta me 15,400 të infektuar.

Territoret amerikane kanë regjistruar më së shumti të vdekur: 219,000. Ndërsa Evropa renditet e dyta me 193,000 viktima, sipas OBSH-së.

Ndërkohë, të dhënat e Universitetit Johns Hopkins, tregojnë se në nivel global, numri total i të prekurve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, ka arritur në mbi 8.9 milionë, përderisa mbi 466,000 prej tyre kanë vdekur.