Partia Socialiste ka sulmuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i cili shtyu publikimin e rezultateve të votimit elektronik për ditën e hënë, dhe jo në kohë reale gjatë natës së sotme.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja Helena Kaçe e cilësoi vendimin arbitrar, të gabuar dhe zhgënjyes.
“Është një vendim arbitrar, i gabuar dhe zhgënjyes për rolin e KQZ-së si garant i Sovranit popull, e jo i nevojave taktike të partive politike”, deklaroi ajo, ndërsa u bëri thirrje Partisë Socialiste të Vorës si edhe mbështetësve të ruajnë qetësinë.
“Rezultati është në kuti dhe mos kini asnjë dyshim se asgjë dhe askush nuk e ndryshon dot atë”, tha ajo.
Deklarata e PS-së: Mosnxjerrja e rezultateve të Vorës dhe Njësisë 10 nga KQZ, me një vendim arbitrar që bie ndesh me logjikën e votimit elektronik, me traditën e shpalljes menjëherë të rezultatit, si edhe me vetë arsyen e investimit jo të vogël që është bërë për infrastrukturën elektronike, është një vendim arbitrar, i gabuar dhe zhgënjyes për rolin e KQZ si garant i Sovranit popull, e jo i nevojave taktike të partive politike.
Jemi të keqardhur për këtë dhe u bëjmë thirrje Partisë Socialiste të Vorës si edhe mbështësve tanë në Vorë të ruajnë qetësinë.





