Policia dhe Prokuroria e Durrësit kanë numëruar sasinë e eurove kontrabandë që po futeshin në Shqipëri me dy automjete “Toyota Yaris”. Shifra ka arritur në 3 milionë e 470 mijë euro.
Ndonëse në fillim u përfol se ishin 1.5 milionë euro dhe më pas 5 milionë, nga numërimi i parave rezulton se janë sekuestruar 3 milionë e 470 mijë Euro.
Paratë u numëruan pa makineri numërimi dhe nga analiza që u është bërë nuk rezultojnë false.
Hetuesit thonë se eurot u gjetën me katër thasë të vegjël në dy mjete “Toyota”, që ishin ngarkuar bashkë me shtatë mjete të tjera për transport.
Sipas hetimeve, mjetet vinin nga Belgjika, kaluan tranzit në Itali dhe u bllokuan në Durrës pas njoftimit të Interpol Romës.
Po hetohet për të gjetur porositësin dhe personat që i dërguan. Dyshimet e para janë se paratë janë fituar me aktivitet kriminal në Belgjikë.
Interpol Roma kishte përcjellë informacionin te homologët e tyre në Shqipëri dhe sapo mjetet e ngarkuara në trajler mbërritën në Portin e Durrësit, autoritetet shqiptare ndërhynë.
Policia e Durrësit fillimisht ndaloi shoferin e kamionit dhe shoqëruesin e tij që është i riu Klevis Lika. Por njëkohësisht është ndaluar nga policia edhe Edi Lika, babai i Klevisit që ka në pronësi auto-trenin që transportonte automjetet që mbërritën në portin e Durrësit nga qyteti i Ankonës.





