Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli sot para mediave në një konferencë për shtyp, ndërsa procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 11 majit po i afrohet fundit dhe koalicioni PD-ASHM projektohet të përfaqësohet me vetëm 50 mandate në Kuvend.
Berisha e cilësoi procesin zgjedhor si një “farsë elektorale të organizuar nga Toto Rina i Tiranës, Edi Rama”, duke akuzuar kryeministrin për ndërhyrje masive dhe kriminale në votë.
“Çdo orë që kalon nxjerr dokumente shkatërrimtare për farsën elektorale të 11 majit. Por jam këtu para së gjithash për të vlerësuar të gjithë komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit e opozitës që, përballë një presioni shtetëror, po kryejnë me përkushtim detyrën,” deklaroi Berisha.
Ai u shpreh se opozita është e vendosur të mbrojë çdo votë dhe se për këtë do të ndërmarrë një “luftë të fuqishme” për të mbrojtur të drejtën e votës së qytetarëve shqiptarë.
“Zgjedhjet janë zhvilluar në kushte të pabarabarta dhe janë kapur nga organizatat kriminale më të fuqishme të vendit dhe rajonit, që kontrollojnë miliarda euro,” u shpreh ai, duke shtuar se këto grupe veprojnë për të ruajtur interesat e tyre dhe mbështeten nga pushteti aktual.
Berisha paralajmëroi se nëse PD rikthehet në pushtet, këto grupe kriminale do të shpallen “terroriste” dhe ligji do të jetë “i tmerrshëm për ta”.
“Dënoj me forcën më të madhe terrorin e policisë ndaj numëruesve e komisonerëve. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të vëzhguesit Luan Tollozhina, e gjithë ngjarja është një kurth policesk, i organizuar kundër tij. Ai mbahet në burg vetëm si qëndrestar dhe mbrojtës i votës. Dënoj aktet e tjera që kanë terrorizuar demokratët, që kanë dorëzuar filmime, dokumente mbi dhunimin masiv të këtyre zgjedhjeve. Ftoj demokratët dhe mbarë opozitën të vazhdojmë këtë mision si misioni i të gjitha misioneve të një opozite, duke kërkuar rikthimin e votës së lirë. Asgjë në botë, asgjë fuqi nuk do mund të fshehë të vërtetat e shëmtuara të grabitjes së zgjedhjeve nga narkoregjimi i Tiranës. Ata që injorojnë se këto zgjedhje u grabitën në mënyrat më kriminale, do të zhgënjehen më vonë kur ne të kemi faktuar para çdo shqiptari dhe në çdo kryeqytet të Evropës dhe botës shëmtinë e kësaj farse elektorale.”





