Teksa vendi po përballet me pandeminë e koronavirusit, vjen një mesazh nga Silvana Bala, mjeke në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’.

Përmes një videoje të publikuar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Bala tregon përjetimet e këtyre ditëve të vështira për ekipet mjekësore, por edhe për mbarë shqiptarët, ndërsa jep lajmin shpresëdhënës se kjo ‘luftë’ do të përfundojë me sukses.

“Fillimisht u mendua se do ishte një valë e madhe pacientësh. Fatmirësisht masave të marra, kondicioneve të krijuara në spitalin tonë, kjo punë u përballua me sukses. Dhe them se do e përfundojmë me sukses. Pse?! Më të vërtetë ne themi se e kemi fituar këtë betejë, por kemi ende punë për të bërë. Deri sa të dalim nga kondicionet e një spitali COVID. Puna jonë, e mjekëve, e infermierëve, e sanitareve, ka qenë në unitet të plotë. Ne jemi marrë me të sëmurë që kanë qenë në gjendje relativisht të qëndrueshme. Por dhe me të sëmurë në gjendje të rëndë klinike. Kemi bërë për këta të sëmurë maksimumin tonë. Kemi zbatuar të gjitha protokollet e aprovuara nga OBSSH. Këto protokolle ishin të rrufeshme, të sakta, të komunikuara, qoftë për sëmundjen COVID-19, qoftë për komplikacionet e tyre si pneumonitë. Të sëmurët që konsideroheshin shumë të rëndë, kanë qenë në qendrat e trajtimit intensiv. Disa kanë pasur nevojë për frymëmarrje të drejtuar. Numri i vogël i rasteve të jetëve të humbura është një indikacion shumë i rëndësishëm për luftën, për masat, për të gjitha protokollet e zbatuara nga personeli shëndetësor. I them një përshëndetje shumë të fuqishme, shokëve dhe shoqeve të mia, infermiereve dhe sanitarëve. Themi se do ta luftojmë luftën me sukses.”, tha Bala.

Kujtojmë se në vendin tonë numri i të infektuarve ka shkuar në 766 raste, ndërkohë që 30 persona kanë humbur jetën.