7 qershor 2015 – Një nuse e re nga Durrësi denoncohet për zhdukje, por gjendet me të dashurin në Devoll. Historia e denoncuar nga bashkëshorti u zbulua nga policia, pasi nisi kërkimet për të gjetur 24-vjeçaren me inicialet E.B., banuese në Durrës. Në një njoftim zyrtar, policia e Durrësit bëri të ditur se, për 24-vjeçaren bëri kallëzim bashkëshorti 33-vjeçar, B.A. Ky i fundit tregoi në policisë se më 4 qershor, bashkëshortja e tij ishte nisur për në punë, por nuk ishte kthyer në shtëpi. Pasi ka pritur për gjithë natën, burri është detyruar që të kërkojë ndihmë nga policia. Pas gati 48 orësh u bë gjetja e të resë, por në Devoll, qytetin kufitar me Greqinë. Burime të policisë thanë se ajo ishte në prani të një personi, me të cilin kishte lidhje dashurie. Kur është marrë në pyetje, 24-vjeçarja ka treguar se ka ikur me dëshirë. Për policinë, puna ka mbaruar këtu, por nuk dihet nëse nusja e re është kthyer në familjen e bashkëshortit apo është larguar me të dashurin.

 

 

 

 

 

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”