Punonjësit e policisë në Maqedoni, armën e shërbimit, përveçse gjatë orarit të punës, tani e përdorin edhe kur martohen. Një ngjarje e jashtëzakonshme ka habitur banorët e Manastirit, kur punonjësja e Punëve të Brendshme në Maqedoni, ditën e dasmës së saj ka dalë me një armë automatik në duart e saj.
Ka qenë nënkryetari i të rinjve të Lidhjes opozitare Socialdemokrate të Maqedonisë, Darko Kaevski, i cili ka sqaruar se nusja e armatosur është Marija Ristovska Kaleshkovska, nga fshati Sërpci i Poshtëm i Manastirit, e cila pak kohë më parë është punësuar si sekretare e shefit të policisë së uniformuar në SPB të Manastirit.
Kjo lloj arme që shihet në fotografitë nga dasma e Marijas, është pjesë e armëve të policisë dhe ushtrisë, dhe asnjë qytetar nuk mund të marrë leje posedimi dhe përdorimi.
Gjithashtu sipas opozitarëve maqedonas, babai i nuses, i cili mund të shihet në foto duke e ndihmuar vajzën për të gjuajtur me breshëri nga automatiku, është një nga koordinatorët kryesorë të partisë në pushtet VMRO-DPMNE dhe bashkëpunëtor shumë i afërt i liderit partiak, ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.





