1 shtator 2015 – “Jam martuar me mblesëri dhe megjithëse kam dy fëmijë, nuk kam shijuar asnjë çast në familje. Për këtë arsye kisha vendosur t’ia nxija jetën burrit dhe familjes së tij”. Kështu ka deklaruar para oficerëve të policisë Lorena Arapi, 24-vjeçarja që i vodhi 10 milionë lekë të vjetër vjehrrit të saj.
Mësohet se e reja e ka pranuar vjedhjen dhe ka rrëfyer lidhjen e saj jashtëmartesore me Adiol Çiflikun, ndërsa tha se i kishte dhënë 28-vjeçarit disa herë shuma të ndryshme lekësh, pasi ai nuk ishte në gjendje të mirë ekonomike. Nëna e dy fëmijëve të mitur, 3 dhe 4 vjeç, ka treguar se gjithçka e ka bërë nga dashuria për të riun nga Berati, por dhe për faktin që martesa me I.Arapin ishte bërë pa pëlqimin e saj.
E gjithë ngjarja u zbulua mbrëmjen e së shtunës, kur Lorena Arapi doli natën nga shtëpia pa lajmëruar njeri, për të takuar një të dashur tjetër të ri që kishte zënë. Kur u rikthye rreth orës 05:00 të mëngjesit, është përballur me vjehrrin dhe burrin e saj. Mësohet se Skënder Arapi dhe djali i tij, I. Arapi, së bashku me 24-vjeçaren, i janë drejtuar Policisë së Sarandës, pasi dyshonin që kjo e fundit kishte një lidhje jashtëmartesore dhe se mund të qëndronte ajo pas parave të zhdukura në 2012-n. Gjatë deklaratës së saj në komisariat ajo pohoi se kishte qenë me një djalë nga Fieri, dhe ka treguar dhe për historinë e dashurisë me djalin nga Berati, Adiol Çiflikun, i arrestuar tashmë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





