Ditën e djeshme një qytetar denoncoi faktin se një pronar restoranti në Ksamil, nuk i lejonte plazhistët të laheshin në det nëse nuk hanin te restoranti i tij.

Menjëherë pasi ka parë postimin, pronari i restorantit ka dërguar reagimin e tij te “Jeta Osh Qef”, ku bën krahasimin me plazhin e Durrësit, dhe thotë që s’ka ndërmend që Saranda e Ksamili, të katandisen e të shkatërrohen sipas tij, si Durrësi.

“Ti dhe shumë të tjerë duhet të kuptoni qartë që nuk mund ta katandisni Sarandën dhe Ksamilin siç katandisët dhe shkatërruat Durrësin, me bukë në çantë dhe termusa, duke fëlliqur plazhet që presin muajt e verës të punojnë dhe të ushqehen. Ok? Nqs do plazh publik, ke plot në Sarandë si p.sh.: plazhin e ri, Centralin, dhe disa të tjerë, ndaj mos u anko fare, shko aty ku ke mundësinë, më saktë shtriji këmbët sa ke jorganin dhe lëre shezllonin bosh që të ketë mundësi të vijë dikush tjetër që do ketë mundësi të shpenzojë dy lekë duke ngrënë në restorante”, shkruan ai.