“I thashë mësuesit ik vizitohu nga veshët, se është shurdh! Më ngatërroi me një nxënës tjetër. Në vend t’i fliste atij, po më fliste mua. E di që bëra gabim dhe nuk është e drejtë, sepse pas asaj që i thashë mësuesi më qëlloi”. Kështu deklaroi në një intervistë nxënësi i klasës së shtatë A. P. i shkollës “Hasan Koçi”.
“Më përtheu dorën e më goditi, i thashë vizitohu nga veshët, se fajin ma ngeci mua. Më pas nxori të gjithë nxënësit e klasës dhe po më ndiqte mua nëpër klasë. Edhe unë e kisha fajin, profesori u nervozua, e kishte nga nervat. Nuk është e drejtë që profesori të iki nga shkolla”, thotë 13-vjeçari i klasës së shtatë. “Ishim në orën e tretë të mësimit të lëndës së Biokimisë. Mësues Flamuri është i vjetër, është profesor i mirë, e di që bëra gabim që u solla ashtu. Filmimin e bëri një shok i klasës, dhe më pas u shpërnda.”
Në mbrojtje të mësuesit të larguar nga puna janë 40 mësues të kësaj shkolle, të cilët thonë se dhuna është e patolerueshme, por që edukata e nxënësve dhe sjellja e tyre është po ashtu e patolerueshme.
“Mësuesi nuk ka faj, Aleni e ofendonte vazhdimisht, i tha o “shurdh” mësuesit në sy të gjithë klasës. Vazhdimisht e ofendonte, i bënte gjeste të pahijshmne, i shkarraviste përparësen ndërsa profesori shpjegonte mësimin. Profesor Flamuri është një prej mësuesve tanë më të mirë të shkollës, ne kërkojmë që profesori të rikthehet në shkollën tonë e të na japë sërish mësim”, është reagimi i nxënësve të shkollës 9-vjeçare.
K.H.





