E dimë të gjithë që shoqëria shqiptare dhe çdo shoqëri në përgjithësi përshkohet nga probleme të natyrave nga më të ndryshmet. Çdo shoqëri në përpjekje për të rritur mirëqenien apo zhvillimin e saj bën gjithnjë përçapje për t'i zhdukur, ose në mos, për t'i pakësuar sa më shumë të jetë e mundur elementët e dëmshëm socialë. Një ndër këta elementë socialë mjaft të dëmshëm, të cilit historikisht i është shpallur luftë, është edhe konsumi i duhanit. Veçori e këtij problemi mjaft të përhapur social është se atë e hasim në të gjitha grupmoshat, të cilitdo niveli shoqëror. Megjithatë, ndonëse konsumi i cigares shfaqet si element shqetësues për këdo, fenomeni bëhet akoma më shqetësues kur vihet re konsumi i tij në masë tek moshat e reja. Në jo pak raste të ndodh në rrugë të shohësh një të ri rreth moshës 15 vjeç duke pirë një cigare, madje ka edhe nga ato raste ekstreme kur për fat të keq hasen edhe mosha të vogla, aty tek 10-12 vjeç, që konsumojnë duhan me krenari të plotë.

Kjo është një situatë për të ardhur keq, sepse nëse tek një person i rritur parësore për lënien e duhanit është ndërgjegjësimi i tij për efektet e dëmshme që jep ai në shëndet, tek të rinjtë parësor është kujdesi dhe interesi i prindërve dhe mësuesve, që për cilindo adoleshent janë si prind i dytë. Prindërit në pjesën më të madhe të rasteve mund të mos jenë të informuar mbi veprimin e fëmijës së tyre, madje në jo pak raste ata janë aq të pavëmendshëm sa një adoleshent mund të konsumojë duhan për vite me radhë dhe prapë se prapë arrin ta mbajë të fshehur këtë fakt prej prindërve të tij. Nuk mund të thuhet që e njëjta gjë ndodh edhe nëpër shkolla. Krahasuar me prindërit, mësuesit kanë shumë herë më tepër mundësi të kontrollojnë veprimet e nxënësve të tyre, të zbatojnë sanksione në rast të veprimeve jo të lejueshme, madje dhe të vënë në dijeni prindërit për veprimet e fëmijëve të tyre.

Për të kuptuar më mirë këtë mjafton të përmendet fakti që një fëmijë që konsumon duhan, veprim të cilin ai nuk dëshiron ta marrin vesh prindërit e tij, nuk e pi atë në shtëpi. Vendi më i përshtatshëm në këtë rast do të ishte shkolla, ose ambiente jashtë saj, si bare të ndryshme përreth gjimnazit, kjo është dhe arsyeja sepse rastet kur të rinjtë nëpër shkolla kapen me cigare, nuk janë të rralla. Çështja është që sa efektiv është ky kontroll që mendohet se ekziston në institucionet arsimore? A janë gjithnjë aq të përkushtuar dhe të kujdesshëm arsimtarët sa të kujdesen për çdo rast, apo në jo pak raste ata e bëjnë dhe një sy qorr? Përgjegjësia është në çdo rast e tyre. Nuk mund të mohohet që në jo pak raste ka kundërveprim ndaj fenomenit, por në mjaft të tjera nuk ka reagim, nisur nga fakti se çdo arsimtar mendon se nxënësi ka jetën e tij dhe familjen e tij, e cila e edukon dhe i mëson si të sillet, ndërsa kufijtë e tij janë deri tek studimi.

Ka raste të tjera kur arsimtari e di shumë mirë detyrën e tij morale dhe nuk stepet për asnjë moment që të vërë në dukje veprimet e gabuara të nxënësit, pavarësisht reagimit të këtij të fundit. Çdo nxënës nuk reagon në mënyrë shumë të këndshme kur qortohet apo i thyhet notë në sjellje dhe në shkollë krijohet një gjendje disi e tensionuar dhe aspak e këndshme. Ndaj në mjaft raste arsimtari e bën një sy qorr për të mos krijuar situata të pakëndshme. Në fakt është shumë e rëndësishme, që ashtu si në çdo rast, edhe në këtë rast të vihet në dukje pasoja dhe të merren masa për një nxënës, i cili do të bëhet shembull për nxënësit e tjerë dhe njëkohësisht shkak për pakësimin në masë të fenomenit. Për të shpjeguar këtë mund të bëhet një paralelizëm efikas me diskutimet dhe teoritë e ndryshme për heqjen ose jo të dënimit me vdekje në disa shtete.

Një ndër teoritë, në bazë të një studimi tregonte se në vende ku aplikohej dënimi me vdekje ishte vënë re një rënie drastike e numrit të krimeve, pikërisht sepse shembulli që ishte marrë prej të dënuarve me vdekje për një vepër penale apo një tjetër ishte bërë shembull për të gjithë pjesën tjetër shoqërisë, prandaj sanksioni, sipas kësaj teorie, kishte efekte pozitive. Edhe në rastin në fjalë sanksioni nuk sjell veçse efekte pozitive. Një nxënës që kapet në konsum e sipër të duhanit bëhet shembull për nxënësit e tjerë. Akoma më mirë, ekzistojnë dhe raste kur shkolla, mësues apo drejtues të saj marrin masa për vënien e menjëhershme në dijeni të prindit. Këto janë raste të shërimit shpeshherë nga sëmundja e pavetëdijshme e konsumit të cigares, e cila për shumicën e njerëzve është shndërruar në një formë droge… 
 

Nxënësit

Dëshmitarët më të mirë për këtë situatë të krijuar në gjimnaze janë vetë nxënësit, të cilët për "Gjimnazistët" pranojnë se pinë duhan në shkolla. "Në shumicën e rasteve fshihemi nëpër cepat e oborrit", thotë Ermali, maturant. Ndërkohë që shoku i ulur bashkë me të në kafen përballë gjimnazit na thotë se "edhe banjat i përdorim ndonjëherë për të pirë cigare. Jemi shumë të stresuar ndaj e pimë", – vijon më tej ai, ndërsa e pyesim për arsyet që e shtyjnë të pinë duhan gjatë orëve të mësimit. Të njëjtat dëshmi bënë edhe gjimnazistë të tjerë, sipas të cilëve, megjithëse nuk kanë ndonjë arsye të fortë për ta pirë, ata nuk e lënë dot duhanin. "Më së shumti ndodh të pimë në oborr. Një paketë pi në ditë, se janë edhe kafet", përfundon një tjetër.