“Welcome to Durrës”. Kështu quhet aplikacioni më i ri që tashmë gjendet në Google Play apo Play Store, i cili promovon vlerat turistike dhe kulturore të Durrësit falë punës së një grupi nxënësish nga Durrësi.

Prej një jave, nxënësit e klasës XII E në gjimnazin “Naim Frashëri”, me vullnetin e tyre të mirë dhe me kontributet vetjake, kanë jetësuar projektin që ata ëndërronin, aplikacionin orientues për qytetin e mrekullueshëm të Durrësit, që mund ta shkarkojë çdo turist i huaj apo vendas.

Ka qenë e gjithë klasa që ka kontribuuar me shuma monetare për ta konkretizuar këtë projekt të tyrin, ndërsa 7 janë emrat e personave që kanë punuar rreth gjithë etapave të aplikacionit. Ata janë: Seldan Tabaku, Paolo Kadillari, Florint Balla, Ajla Maksuti, Klajdi Xheraj, Xhenisa Myshketa dhe Erion Lika.

Është për t’ përgëzuar puna e këtij grupi të rinjsh, pasi programi që mund të shkarkohet lehtësisht në celular, përmban informacione të shumëllojshme për Durrësin, për të gjithë ata që duan ta njohin e shëtisin, duke nisur nga monumentet historike, që shoqërohen e me pamje rreth vendeve të magjishme që ofron Durrësi për të pushuar, mënyrave për të udhëtuar drejt qytetit etj.

Aplikacioni mund të shkarkohet në të gjithë celularët me sistem Android dhe ato iPhone. Aplikacionin mund ta gjeni duke klikuar këtu.