7 tetor 2015 – Nxënësit që kur nisin klasën e parë, duhet të mendojnë fillimisht për të lyer klasën , siguruar perdet, ngrohjen, kamerat në shkollë, punësimin e rojeve, lyerjen e ambienteve të ndryshme, dhe shumë të tjera si këto. Prindërit e vogëlushëve, krahas buxhetit për të siguruar librat e bazën material, duhet të përgatiten për shpenzime që realisht duhet të vinin nga qeverisja vendore për shkollat në Durrës. Në një situatë të tilë shumë prindër që nuk munden dot t’iu blejnë fëmijëve as librat, ngrejnë zërin se fëmijët rrezikojnë të diskriminohen në shkollë nga mësuesit.
10 mijë lekë të vjetër, kaq duhet të paguajë minimalisht si detyrim çdo nxënës në shkollat nëntëvjeçare të Durrësit, në këtë fillim viti shkollor. Mësuesit kujdestarë u kërkojnë të gjithë nxënësve pa përjashtim shumën e mësipërme, për të plotësuar disa prej kushteve minimale për mbarëvajtjen e vitit shkollor, kushte të cilat duhet të gjejnë zgjidhje nga autoritetet përkatëse.
Në një inspektim që ka bërë portali “DurrësLajm” në disa prej shkollave nëntëvjeçare të qytetit, ankesat e prindërve kanë qenë të shumta në këtë drejtim. Madje një pjesë e tyre, jashtë kamerës, kanë hedhur dyshimet mbi mënyrën e menaxhimit të të gjitha parave të mbledhura prej nxënësve. Dyshimet e prindërve shkojnë deri aty sa akuzojnë bordet drejtuese të shkollave, që një pjesë e parave mund të shkojë dhe në xhepin e drejtuesve.
“Nuk ka transparencë fare, ku ta di unë se lekët që jep fëmija im nuk i merr vetë drejtori apo ndonjë tjetër?! Përderisa unë s'di gjë se kush i menaxhon lekët, kështu do të mendoj”, thotë një prind që dëshiron të mbetet anonim.
“Sa nisi shkolla na kërkojnë 10 mjë lekë për çdo fëmijë. Fëmijët thanë që duhen për rojen e shkollës, për të lyer klasën, e nuk do më shumë. Më pas na kërkojnë sërish për perdet, na kërkojnë për të blerë dru zjarri në dimër, për të rregulluar bankat, të gjitha janë në kurriz të prindërve. Unë marr 48 mijë të vjetër në muaj asistencë. Po të mos ja jap lekët fëmijës, kam frikë se ma diskriminojnë. Po na fusin në borxhe. Jo të gjtha familjet kanë lekë”, u shpreh një prind në shkollën 9-vjecare “Vasil Ziu” në Durrës.
“Me detyrim na kërkojnë 10 mijë lekë fëmjët, ua duan zyshat. Na thanë do blejnë perde, kjo është qesharake, dhe tragjike. Si i detyrojnë fëmijët e klasës së parë që të çojnë lekë për rojen e shkollës? Duan lekë për të blerë për çdo lëndë nga një dosje, mësuesit. 12 osje për çdo lëndë, që të mbajnë testimet nxënësit.
Qesharake, si të grabisin prindërit dhe fëmijët është bërë shkolla sot!”, thotë një tjetër nënë në shkollën “Nënë Tereza” në Durrës.
Prindërit e shkollës “Eftali Koçi” ankohen për shpenzime edhe më të mëdha. “Me detyrim na kërkuan lekë sepse shkolla u pajis me kamera. Donte drejtoria që të gjitha ambientet e sallës së mësuesve dhe të korridoreve të kishin kamera, dhe i blenë prindërit!
Gjatë gjithë vitit shkollor, fëmijët duan lekë që i përdorin për shkollën. Ne i dërgojmë në shkolla publike, por shkollat publike janë bërë më keq se privatët”, thotë një tjetër prind.
Drejtoresha e DAR-it, Lindita Mukaj: I takon Bashkisë të merret me infrastrukturën në shkolla
“DurrësLajm” kontakoi me drejtoreshën e Arsimit në Durrës, Lindita Mukaj, e cila prononcimin e dha në linjë telefonike, për shkak se sipas saj, takimi ishte i pamundur deri javën e ardhshme.
“Më çudit fakti që prindërit vijnë te ju për ankesa dhe jo në Drejtorinë Arsimore. Nëse prindërit kanë ankesa, fillimisht jua bëjnë të ditur mësuesve kujdestarë, drejtorisë së shkollës, dhe mua. Në këtë punë ka hierarki. Mua nuk më është ankuar askush nga prindërit, mësuesit apo drejtorët e shkollave për këtë problem.
Unë megjithatë ju them se, problemet me infrastrukturën në shkolla nuk i përkasin institucionit që unë drejtoj, por bashkisë së Durrësit. Unë merrem vetëm me personelin dhe investimet i takojnë bashkisë.”
/K.H. portali DurresLajm/