Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Hasan Koçi” në Shkozet të Durrësit, kanë braktisur orën e parë të mësimit, duke protestuar për rikthimin e mësuesit Flamur Pajo në shkollën  e tyre.

Nxënësit, që prej orës 7:30 të mëngjesit, fillimisht bllokuar rrugën në hyrje të shkollës dhe u desh ndërhyrja e policisë së rendit. Më pas në oborrin e shkollës të gjithë nxënësit i kanë bërë thirrje drejtorisë së shkollës të rikthejë në vendin e punës mësuesin e bio-kimisë të shkarkuar pas publikimit të një videoje, ku mësuesi ishte duke ushtruar dhunë ndaj një nxënësi të klasës së 7-të C.

Flamur Pajo, mësuesi i bio-kimisë, pas publikimit të videos, u ndalua nga policia për veprime arbitrare, por u la i lirë nga gjykata. Mësuesi i kërkoi falje prindërve të fëmijës, ndërsa një ditë më parë 200 nxënës dhe 200 prindër të kësaj shkolle kanë dërguar një peticion në Ministrinë e Arsimit për rikthimin e mësuesit në shkollë.

K.H.