Me qindra punime të nxënësve të ciklit 9-vjeçar të shkollës “Marie Kaçulini” u ekspozuan sot në galerinë e artit pamor.

Ajo që nisi thjesht si një projekt u shndërrua në një punë voluminoze dhe mjaft cilësore, me qindra punime të realizuara me materiale të riciklueshme.

Por përse e ndërmorën fëmijët këtë nismë?

“Ne synojmë që si shkollë të formojmë një biznes, që ka emrin dhe logon e shkollës sonë, duke përfshiirë këtu riciklimin, ruajtjen e mjedisit, por edhe teknologjinë, pasi ajo është e ardhmja:”,- na tregon nxënësja Antea Gërxhani.

“E nisëm si një konkurs ndërkombëtar, por në fund doli diçka shumë madhështore, duke parë edhe përkushtimin e nxënësve. Prandaj thamë pse kjo punë të mos ekspozohet. Kemi që nga shtatori, që punojmë për këtë ekspozitë”,- thotë për “DurrësLajm” mësuesja e lëndës së qytetarisë, Natasha Alushi.

Mes morisë së punimeve, nuk mungojnë edhe ato që i përkasin fushës së teknologjisë, siç është ky robot për të cilin na tregon Deani i vogël.

Ky është një robot, që kryen shumë funksione. Ai ka një dorë të vogël me anë të së cilës mund ta kontrollosh atë, ta vësh në lëvizje, sepse ai mund të ecë”.

Një hapësirë e veçantë në këtë ekspozitë i është kushtuar punimeve të fëmijëve me nevoja të veçanta. Mes tyre spikasin ato të realizuara nga Kevini 15-vjeçar, ku nuk mungojnë pikturat apo punimet e detajuara me plastelinë. Sinkron

Ditën e nesërme, (e martë) të gjitha punimet do të shiten në një ankand, pasi stafi pedagogjik dhe nxënësit kanë menduar që paratë t’i përdorin për 3 qëllime kryesore.

“Objektivi i parë është blerja e ushqimeve për njerëzit në nevojë, të moshuarit. Do të blejmë gjithashtu një shkallë suedeze shpinore për fëmijët me aftësi ndryshe në shkollën tonë dhe pjesa tjetër janë për biznesin e shkollës”,– thotë drejtoresha e shkollës Etleva Çelmeta

M.B.