SHKODËR – Kërkimet intensive të nisura mëngjesin e sotëm në ujërat e lumit Drin kanë bërë të mundur gjetjen e trupave të pajetë të kushërinjve të parë Alfons dhe Paskualino Kolndrekaj përkatësisht 20 dhe 22 vjeç.
Grupet e kërkimit si dhe polumbarët ka mundur të evidentojnë makinën në të cilët udhëtonin 2 kushërinjtë Kolndrekaj dhe më pas kanë mundur të identifikojnë kufomat e të rinjve, pasi i kanë nxjerrë nga 12 metra thellësi.
Kërkimet për gjetjen e makinës si dhe trupat e Alfonsit dhe Paskualinos rinisën mëngjesin e sotëm, pasi dje u ndërprenë për shkak të errësirës. Të afërmit bënë me dije se kishin humbur kontaktet me familjarët e tyre, që prej mbrëmjes së 24 dhjetorit, ndërkohë mësohet se ata kishin dalë për të festuar vigjiljen e Kishtilindjes.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës në vendin e quajtur "Kthesa e Beltojës". Automjeti tip "Golf 4" me ngjyrë blu, në të cilin udhëtonin Alfons dhe Paskualino Kolndrekaj është përplasur me parmakun e urës së Beltojës dhe më pas ka rënë në ujërat e lumit Drin.





