SHKUMBIN, 4 prill 2013– Trupi i pajetë i 19-vjeçares Albina Hunçi, e cila mbyt bashkë me bashkëshortin e saj Ismet Karaj në ujërat e lumit Shkumbin, është arritur të nxirret nga uji mëngjesin e të enjtes.
Ndërkohë policia është në kërkim të trupit të bashkëshortit të saj, 30-vjeçarit Karaj, i cili drejtonte mjetin që përfundoi në Shkumbin mesditën e djeshme, por ka dyshime se në makinë mund të ketë qenë edhe një person i tretë që udhëtonte me çiftin e ri.
Të afërm dhe bashkëfshatarë të çiftit janë mbledhur në bregun e lumit në pritje të nxjerrjes së trupit të pajetë të 30-vjeçarit, çka bëhet e vështirë edhe për shkak të rrjedhës sërrëmbyer të ujit.
Ngjarja e rëndë u shënua paraditen e të mërkurës në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në urën e Murrashit ku automjeti me të cilin udhëtonin dy bashkëshortët ra nga ura duke përfunduar 200 në ujërat e lumit Shkumbin.
Për shkak të distancës së madhe nga bregu i lumit dhe kushteve atmosferike jo të mira, nuk u bë i mundur nxjerrja e mjetit nga ujërat, por u bë identifikimi i targës së mjetit e cila është AA 655 GB e cila rezultoi se i përkiste pikërisht 30 vjeçarit Ismet Karaj nga fshati Dardhë e Librazhdit.





