Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë së kundërligjshme të nxjerrjes së pllakave të gurit në malin e Tomorit, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar u arrestua një person në flagrancë.
Në pranga ra shtetasi B. L., 55 vjeç, banues në Skrapar, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi P. M., 40 vjeç, banues në fshatin Çërrave, Pogradec.
Arrestimi i shtetasit B. L. u bë pasi dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerr pllaka guri dekorative, në Malin e Tomorit, zonë e shpallur “Park Kombëtar”, duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur.
Ky shtetas, materialin e gurit të nxjerrë në mënyrë të paligjshme, ia ka shitur shtetasit P. M., i cili u kap nga shërbimet e Policisë duke transportuar me mjetin tip kamion, 9 m³ pllaka dekorative pa dokumentacionin përkatës.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.





