Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka denoncuar rastin e futbollistit Andi Lila, të cilit policia i kërkoi të largohej nga fusha e futbollit në qytetin e lindjes ndërkohë që po jepte një intervistë për mediat.
Basha e konsideron këtë veprim si të turpshëm dhe kriminale dhe thotë se është kryer vetëm për faktin se Lila është një nga kandidatët për deputetë opozitarë nga PD-ja e Kavajës.
“Kjo është e turpshme dhe kriminale! Sapo përfundova një telefonatë me Andi Lilën, një nga yjet e futbollit shqiptar, të cilit policia i kërkoi të largohej nga fusha e futbollit në qytetin e tij të lindjes në Kavajë, ndërkohë që jepte një intervistë për media. Kjo vetëm për faktin se Lila është një nga kandidatët për deputetë propozuar nga PD Kavajë!
Kjo duhet të marrë fund! Askush nuk do të na mbyllë gojën! Në demokraci çdokush ka të drejtë të thotë çfarë të dojë. Ne do ta mbrojmë me forcë këtë të drejtë të fituar me sakrifica dhe nuk do lejojmë që Shqipëria të kthehet sërish në diktaturë”, shkruan Basha.
Një ditë më parë, Lila shkroi në Instagram se ndërkohë që po jepte një intervistë Drejtori i Sporteve të Bashkisë Kavajë, ish-futbollisti Aldo Duro, i shoqëruar nga punonjësit e policisë Bashkiake Kavajë, kërkuan largimin e tij nga fushat. Sipas Lilës, kjo është bërë me kërkesë të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Redjan Krajli pasi tashmë është kundërshtari i tij politik.





