Nazime Mulla dhe Glesantina Saraç, infermiere dhe kryeinfermiere në azilin ku u vra i moshuari, Virxhil Vesho, janë arrestuar një ditë më parë nga policia e Tiranës.

Sipas informacioneve të siguruara nga “Top Channel”, nga këqyrja e kamerave të sigurisë, ka rezultuar se të dyja ato, pasi i moshuari mbeti i vdekur nga goditjet me shkopin e hekurit nga shoku i dhomës, Zyhdi Shehi, e kanë nxjerrë trupin dhe kanë pastruar gjakun, e më pas kanë njoftuar një agjenci funerale.

Ato kanë deklaruar se i moshuari humbi jetën pasi u rrëzua. Por pas këqyrjes së trupit të viktimës, agjencia funerale e ka kthyer trupin pas, pasi dyshonin se shenjat nuk ishin nga rrëzimi, por shenja të tjera dhune.

I moshuari është qëlluar në gjumë me bastun, ndërsa infermieret vazhdojnë të këmbëngulin se u ishte krijuar ideja se i ndjeri ishte rrëzuar.

Virxhil Vesho, priste që për dy javë të fikte qirinjtë e 82-vjetorit.

Shoku i tij i dhomës, një historian i njohur përdori bastunin ku mbështetej për shkak të moshës së thyer dhe duke zbardhur e enjtja e goditi mizorisht në kokë.

Autori u identifikua si Zyhdi Shehi 78 vjeç, i cili tha fjali të paqarta për agjentët kur u pyet për ngjarjen e rëndë.

Për shkak se edhe viktima edhe Shehi vuanin nga skleroza, policia ka bindjen se deklarata e historianit të njohur që u shpreh se ‘e qëlloi shokun pasi i kishte zënë krevatin’ mbetet një version që i përket tronditjes.

Megjithatë i moshuari do të akuzohet për vrasje, dhe mes shkresave që janë sekuestruar në qendrën private të të Moshuarve “Ruaje moshën” , janë marrë edhe dëshmitë e stafit, kryesisht infermierë. Versioni tjetër i autorit ishte se përdori një shkop hekuri duke e qëlluar shokun e tij të dhomës, pasi ai e bullizonte.

Sipas policisë ekspertët do të caktojnë se në çfarë shkalle ishte i prekur autori nga skleroza, ndërkohë që brenda pak ditësh ai do të dalë para gjykatës penale. Mosha dhe sëmundja e tij pritet të jenë karta e fortë e avokatëve për ta mbrojtur.