E përditshmja amerikane New York Times hedh dyshime se republikanët po përgatiten në fshehtësi për fushatën presidenciale të vitit 2020, sipas një skenari ku Donald Tramp nuk do të jetë i përfshirë në garën për një mandat të dytë dhe kandidat do të jetë Mike Pence.
Sipas një artikulli të publikuar në këtë të përditshme, Pens ende nuk ka gati një axhendë zyrtare të fushatës. Por ai po krijon një bazë të fuqishme për të kandiduar në mungesë të Donald Trump. E përditshmja amerikane shkruan se ndër të tjera, ai ka krijuar edhe një strukturë për grumbullimin e financimeve të fushatës, të quajtur “Komiteti i Madh Amerikan”.
Informacioni i New York Times bazohet në të dhëna të siguruara nga burime brenda Partisë Republikane Amerikane. Por vetë zv/presidenti reagoi pas këtij artikulli, duke e quajtur atë “të turpshëm dhe ofendues”. Sipas tij, ky artikull nuk ka asnjë qëllim tjetër veçse të përçajë administratën aktuale të Shteteve te Bashkuara. Ndërsa mohoi zërat për kandidimin e tij për president në 2020-ën.
Një artikull i tillë i New York Times vjen në një moment, kur pjesëtarë të ngushtë të stafit elektoral të Donald Trump, disa prej të cilëve mbajnë tani poste publike, janë nën hetim për përfshirje në skandalin “Russiagate”.
Donald Trump i ka sulmuar shpesh, ato që konsiderohen si media mainstream ku bën pjese edhe New York Times, duke i akuzuar për publikimin e lajmeve të rreme.