Nga T. Çela
Duket si anekdodë po është e vërtetë. Kur kryeministri Rama shkoi të inspektonte punimet e autostradës që del nga Tirana deri te kthesa e Rinasit, një nga drejtuesit e kompanisë që pati fituar tenderin e këtij segmentit, iu drejtua shefit të qeverisë me modesti. “Më falni zoti Rama, por kam një pyetje: kam dëgjuar se autostrada do bëhet me 3 korsi. Mua më leverdis puna që kam marrë, por nuk e kuptoj pse duhet bërë ky shpenzim. Le të zgjerojmë fillimisht rrugën dhe pastaj mbjellim pemët e vendosim ndriçimin”.
Pasi e dëgjoi Rama me arrogancë ia ktheu: “Ti je ktu për të kryer punën që ke marrë përsipër, apo për të dhënë mend”.
Me kaq biseda e dëgjuar nga shumë dëshmitarë u mbyll, por ajo vlen të rikthehet sot në vëmendjen e gjithëkujt, kur sapo ka dalë lajmi se ky segment i autostradës do zgjerohet dhe se 60 milionë lekë palma do të shkojnë kot.
Ky lajm është botuar po ashtu si dhe vëzhgimi për shpërdorimin e parave të Ecoparkingut përballë satadiumit Qemal Stafa, që u shkatërrua menjëherë sapo u ndërtua.
Janë dy shembuj flagrantë të moskokëçarjes dhe papërgjegjshmërisë flagrante në administrimin e parave publike.
Në rastin e parë, atë të autostradës, ky abuzim i shërbeu thjeshtë vanitetit të Ramës që donte një hyrje Tirane me palma dhe drita të kuqe, për të pritur homologët e tij, Vuçiç, Merkel, etj me një hyrje që do të shërbente si një tapet i kuq, për të ftuarit që do të bijtin në vendin e drejtuar nga politikani artist. Ajo e bëri atëherë Fatos Lubonjën të shkruante se këta edhe kozmetikën e qytetit e vënë në funksion të mashtrimit të të huajve.
Kurse rasti i dytë është me sa duket një simbol flagrant i moskokëçarjes dhe voluntarizmit në vendimmarrje: Ai tregon se planet bëhen sot për nesër, se as Rama dhe as Veliaj nuk kanë projekte, se të dy bëjnë vetëm shfaqe sa për tu shfaqur një mbrëmje në ekranet e kontrolluar prej tyre dhe për t’i hedhur hi syve njerëzve. Përndryshe nëse kish plan për të shkatërruar stadiumin e vjetër dhe për të ngritur një të ri, pse duheshin harxhuar fonde për të ngritur parimin në vendin që vetëm pak muaj më pas do të shndërrohej në kantier?
Por si rasti i parë dhe i dytë, tregojnë një gjë të vetme.
Se këta dendy vanitozë nuk kanë asnjë dhembshuri për pasurinë tonë të përbashkët. Për taksat që mbledhin dhe për paratë e atyre të mjerëve që i fusin në burg se nuk kanë paguar 2 mijë lekë energji elektrike.
Përpos vjedhjes brutale me tenderë e koncesione, ata po i rrjepin shqiptarët dhe me investimet vanitoze e të panevojshme, që shërbejnë vetëm për të përkëdhelur egon e tyre të sëmurë.
Si pasojë e makutërisë dhe papërgjegjshmërisë ata po ngrenë një piramidë të rreme në këtë vend. Një ngrehinë iluzore që do të rezultojë krejt bosh kur njerëzit të kuptojnë se kanë përjetuar një ëndërr të keqe. Dhe atëherë nuk do të jetë çudi, që si në rastin e piramidave reale, ata t’u kërkojnë përgjegjësve llogari, se ku i kanë çuar paratë e tyre. /Lapsi.al





