Jetesa u është e padurueshme banorëve të fshatit Karpen, pjesë e komunës Maminas, në bashkinë Shijak.

Videoja amatore është dërguar nga një prej tyre, si dëshmi e panoramës me të cilën përballen çdo ditë.

Rruga, dikur e asfaltuar, sot numëron dhjetra gropa mbi të, ndërsa në pjesën fundore është e vështirë të kalohet me automjete të vogla, pasi këto të fundit rrezikojnë dëmtimin serioz përshkak të gurëve të dalë në sipërfaqe.

Sikur të mos mjaftonte kjo, një “mini-landfill” është krijuar në krah të kanalit, që e përshkon këtë rrugë.

Dikur në këtë sipërfaqe gjeje kontejnerë për hedhjen e mbetjeve urbane, ndërsa sot ato janë bërë “mal” e shpërndarë kudo, sikundër duket nga pamjet.

Në dimër përmbytjet janë të zakonshme dhe problemet edhe më të mëdha, sepse gropat mbushen me ujë dhe kanali me plehra.

Kjo bën që uji të mos kullojë, prandaj kanali po gërryhet gjithnjë e më shumë dhe po zgjerohet në rrugë. Kushedi sa herë biem në të.

Shohim e dëgjojmë që kudo në Shijak po punohet, në qendër e zonat rurale, por në fshatin tonë s’kemi parë gjë hajër, na kanë lënë pas dore”, shkruan qytetari në denoncimin e dërguar në redaksinë e “DurrësLajm”.

Në përgjigje të interesit të medias, vetë kryebashkiaku Elton Arbana konfirmoi se të gjitha rrugët rurale janë planifikuar t’i nënshtrohen rikonstruksionit, por pa specifikuar afate për këtë.

Në këto kushte ngrihet pyetja legjitime: Çfarë do të ndodhë me këtë rrugë deri atëherë?!

Ku dhe si do të ecin qytetarët drejt banesave të tyre?!

Përsa i takon mbetjeve urbane, evadimi i tyre nga kontejnerët bëhet çdo ditë, por mesa duket kur vjen puna tek “mini-landfill”-i, punonjësit në varësi të kësaj bashkie mbyllin sytë.