Shkodër, 27 gusht 2014 – Jepet masa e arrestit me burg për shefin e stacionit policor në Velipojë, i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”.

Ditën e martë u bë e mundur arrestimi i Ernest Palukut nga ana e SHKB-së, pasi duke shfrytëzuar detyrën e tij funksionale, ka kërkuar favore seksuale nga shtetasja Rudina M., 32 vjeçe, banuese në Angli, e cila ishte paraqitur në Stacionin e Policisë Velipojë për të bërë një kallëzim për dhunë dhe keqtrajtim nga bashkëshorti i saj.

Mësohet se mes tyre ka pasur një komunikim në rrjetin social, Facebook, që është siguruar si provë nga policia.

Ernest Paluku: “Kur do të dalësh këtej o yll bote, të marrim masa në hotel me pesë yje për darka e jetë nate”.

Rudina M.: “Më duket se e ke marrë mrapsh ardhjen time aty se unë kisha problem serioz, nuk erdha tek zyra me më puthë, por me më zgjidhë problemin”.

Babi i 6 fëmijëve, i cili prej një viti ishte emëruar në Postën e Velipojës, u arrestua me akuzën e ngacmimit seksual, disa orë pasi kishte pritur në zyrë emigranten e dhunuar nga bashkëshorti.

Ernest Paluku ka kërkuar favore seksuale nga shtetasja Rudina M., e cila ishte paraqitur në Stacionin e Policisë Velipojë për të bërë kallëzim për dhunë dhe keqtrajtim nga bashkëshorti i saj.

Të dielën emigrantja ka qenë në një klub në zonën e plazhit të Velipojës dhe kur ka dalë jashtë ajo ka konstatuar gërvishtje të makinës së saj tip Benz.

Ajo i është drejtuar të shoqit me dyshimin se e ka gërvishtur ai, ndërsa bashkëshorti kur ka dëgjuar këto akuza, e ka rrahur 32- vjeçaren.

Ajo ka shkuar të denoncojë rastin e dhunës, por Paluku i ka ofruar ndihmë në këmbim të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të.

Pas denoncimit të bërë nga gruaja, 50- vjeçari është arrestuar nga Policia e Shkodrës.

/Tema/