Belgjikë, 26 mars 2014 – Presidenti Obama tha se kufijtë e Evropës nuk mund të ndryshohen me forcë. Ai i bëri komentet në një fjalim të rëndësishëm që mbajti në Bruksel mbi marrëdhëniet Amerikë-Evropë. SHBA dhe NATO-ja, tha ai nuk kërkojnë ndonjë konflikt me Rusinë.
Duke iu referuar sigurisë së Ukrainës, ai tha se kjo nuk është një luftë tjetër e ftohtë, por SHBA dhe Evropa duhet t'i mbrojnë aleatët e tyre.
Presidenti përmendi përsëri Kosovën dhe argumentoi se nuk mund të bëhen paralelizma mes Kosovës dhe rastit të Krimesë.
Po sot, presidenti Obama dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian bënë thirrje për nxitjen e tregtisë ndëratlantike si kundërpërgjigje ndaj ndikimit të Rusisë në Evropë, për ta bërë kontinentin më pak të varur nga Moska në nevojat energjetike. Udhëheqësit i bënë komentet sot në Bruksel.
Presidenti Obama dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian u shprehën sot njëzëri kundër aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe shfaqën besimin se do të arrijnë një partneritet ambicioz ndëratlantik për të ulur varësinë e Evropës nga energjia ruse.
Presidenti Obama tha se bashkërendimi midis SHBA dhe Evropës për sanksionet ekonomike ndaj Rusisë ka qenë i shkëlqyer dhe paralajmëroi se nëse Rusia vazhdon në rrugën e saj të tanishme, izolimi i saj do të thellohet.
"Ajo që ne po bëjmë tani është bashkërendimi për sanksione të tjera më të thella, nëse Rusia angazhohet në inkursione të mëtejshme në Ukrainë. Mendoj se energjia është padyshim një fokus qendror i përpjekjeve tona dhe ne duhet ta marrim atë parasysh në mënyrë të fuqishme," tha Presidenti Obama pas takimit me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Presidenti Obama tha se në qoftë se dikush në udhëheqjen ruse mendonte se me anë të agresionit do të fuste pyka mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, ata i bënë llogaritë gabim.
Zoti Obama i bëri komentet gjatë një konference shtypi në Këshillin e Bashkimit Evropian, pas një dreke pune me Presidentin e Këshillit, Herman Van Rompuy dhe presidentin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso. Diskutimet u mbizotëruan nga çështja e Ukrainës.
Presidenti amerikan i bëri gjithashtu thirrje Bashkimit Evropian që të punojë për diversifikimin e burimeve të tij të energjisë, përveç ndihmës që mund t'i kërkojë Uashingtonit për të kompensuar mungesat energjitike si rrjedhojë e varësisë nga Rusia.
Ai tha se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen në negociata për të krijuar një zonë të tregtisë së lirë që mund të ishte më e madhja në botë. Kjo, tha ai, mund të lehtësonte eksportet e gazit natyror nga SHBA për në vendet e Bashkimit Evropian.
Në bisedimet e tij të NATO-s, Presidenti Obama i siguroi aleatët për mbështetjen amerikane dhe po u bën thirrje të sigurojnë ndihmë për qeverinë e Ukrainës. I pyetur për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, Presidenti Obama tha se tani për tani nuk ekzistojnë plane për zgjerimin e NATO-s me vende të reja anëtare.
Presidenti shkon sot në Itali, ku do të takohet me Papa Françeskun.
Ai bëri homazhe në varret e trupave amerikane të rëna para një shekulli në Luftën e Parë Botërore për të shpëtuar Evropën.
Presidenti vendosi një kurorë pranë një përkujtimoreje në Flandër, ku janë varrosur qindra trupa të rëna për të ndihmuar në çlirimin e Belgjikës.
Presidenti Obama thotë se vizita u kujton njerëzve se kurrë nuk duhet të mendojnë se progresi vjen vetvetiu. Ai tha se Belgjika dhe SHBA do të qëndrojnë së bashku gjithmonë për lirinë, dinjitetin dhe triumfin e shpirtit njerëzor.
/Zeri i Amerikes/





