SHBA Presidenti amerikan Barack Obama do t’u paraqesë komisioneve të shërbimeve sekrete të Kongresit rregullat e administratës për përdorimin e avionëve të telekomanduar. 

Bëhet fjalë për parime ligjore dhe konfidenciale të Departamentit të Drejtësisë, që autorizojnë përdorimin e dronëve për të vrarë shtetasit amerikanë jashtë vendit, që konsiderohen terroristë. 

Lajmin e bën të ditur shtypi amerikan, që citon një përfaqësues të administratës aktuale amerikane. Obama po ndryshon kështu drejtimin, pak orë para audicionit të John Brennan për konfirmimin si drejtor i CIA-s. 

Të mërkurën, mediat amerikane publikuan përmbajtjen e një raporti që tregonte se CIA ka operuar në një bazë avionësh pa pilotë nga një territor i panjohur më parë në Arabinë Saudite. 

Baza u krijua me qëllim që të shënjestronte anëtarët e Al-Kaedës në Jemen, fqinjin jugor të Arabisë. Një dron vrau në shtator 2011 Anëar al-Awlakin, një myfti i lindur në SHBA, që kishte pasur një rol kyç në drejtimin e segmentit të Al-Kaedës në Jemen. 

Zbulimi i kësaj baze erdhi pak kohë nga rrjedhja e një informacioni të klasifikuar nga zyrat e Departmanetit të Shtetit, incident për të cilin është nisur një hetim zyrtar. 

Mediat amerikane kishin informacion për ekzistencën e kësaj baze, e cila u ndërtua midis viteve 2009-11, por vendosën që të mos raportonin me kërkesë të Uashingtonit.