SHBA – Presidenti Barak Obama i bëri thirrje Kongresit të marrë masa për të rivendosur ndalimin e armëve luftarake në duart e popullatës dhe për të mbyllur boshllëqet që lejojnë blerjen e armëve të zjarrit nga shitës privatë pa kontrolluar të kaluarën e tyre.
Presidenti Obama tha sot në Shtëpinë e Bardhë se ka ngarkuar Nënpresidentin Joe Biden për të dalë me një seri propozimesh konkrete jo më vonë se muaji janar për të zgjidhur problemin e dhunës me armë zjarri.
Ai vuri në dukje se një numër amerikanësh, duke përfshirë policë, janë vrarë nga armët e zjarrit që nga dita e premte, kur një person i armatosur me armë luftarake vrau 20 fëmijë dhe 6 të rritur në një shkollë fillore të shtetit Konektikat, tragjedia e dytë më e madhe e këtij lloji në historinë amerikane.
Presidenti Obama tha se vendi ka një detyrim të madh për të parandaluar një dhunë të tillë në të ardhmen.