3 shkurt 2015 –  Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama priti në Shtëpinë e Bardhë skuadrat e Los Angeles Kings dhe Los Angeles Galaxy për sukseset e tyre respektivisht në Kampionatin Kombëtar të Hokejit dhe atë të Ligës së Futbollit. Në fjalën e tij, presidenti amerikan theksoi se si tifoz i Chicagos i pranon me sportivitet arritjet e dy skuadrave nga Kalifornia.

"Ky është titulli i tretë në katër vitet e fundit për Galaxy dhe i pesti në total për këtë ekip duke regjistruar numrin më të madh të trofeve në historinë e futbollit të vendit tonë.  Ky ekip ka nxjerrë nga gjiri i vet një prej futbollistëve më të mirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si Landon Donovan, por të gjithë e dinë se ky ekip është më shumë se Landon. Ashtu si ekipi i Galaxy edhe Kings-at arritën të triumfonin në takimin e fundit. Në finale mundën skuadrën time të zemrës,  Blackhawks. Në Los Angeles nuk ka akull ndërsa në Chicago temperaturat zbresin shpesh herë poshtë zeros, por nuk mund të ankohem edhe pse mund të kishim fituar ndonjë titull më shumë".

Dy skuadrat u nderuan në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë ku Obama përgëzoi edhe lojtarin e  Galaxy, Robbie Rogers, i cili doli hapur duke u bërë lojtari i parë i kampionatit të futbollit që u vetëdeklarua homoseksual.

"Të dyja ekipet mbështesin vazhdimisht me inisiativat e tyre Spitalin e Fëmijëve në Los Angeles, ndërsa më duhet të falënderoj Robbie Rogers për atë që bëri për shumë njerëz të tjerë duke u bërë lojtari i parë që pranon homoseksualitetin e tij. Në fund, u uroj fat të dyja skuadrave të Los Angeles-it, por jo kur të luajnë kundër ekipeve të Chicagos".