Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, është shprehur kundër republikanëve rreth pretendimeve për manipulime të votave në zgjedhjet e fundit.
Në një intervistë për mediat vendase, Obama thotë se pretendimet për mashtrime në zgjedhje minojnë demokracinë e vendit. Ai shton se Joe Biden ka fituar garën dhe republikanët duhet të pranojnë këtë rezultat.
Ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se akuzat e Trump bëhen sepse atij nuk i pëlqen që të humbasë dhe të lërë Shtëpinë e Bardhë.
“Më shqetëson fakti që zyrtarë të tjerë republikanë, të cilët e dinë shumë qartë që kanë humbur, po mbështesin fushatën e Trump. Ky është një hap më shumë për të delegjitimuar jo vetëm administratën e ardhshme të Biden, por demokracinë në përgjithësi dhe kjo është një rrugë e rrezikshme”, tha Obama.
Numërimi i votave ende nuk ka përfunduar zyrtarisht në SHBA, por Biden ka arritur që të marrë më shumë se 270 vota elektorale, të mjaftueshme për të qenë President.
Nga ana tjetër zyrtarët e fushatës së Trump kanë dërguar në gjykatë çështjen e numërimit të votave edhe pse nuk ka mjaftueshëm prova për të mbështetur pretendimet e tyre për vjedhje dhe mashtrime.