SHBA, 23 shkurt 2013– Presidenti Barak Obama po shton presionin ndaj republikanëve në Kongres për të shmangur një sërë shkurtimesh të detyruara të shpenzimeve që do të hynë në fuqi më një mars. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain informon nga Shtëpia e Bardhë se presidenti u përpoq gjithashtu të siguronte udhëheqësit botërorë se shkurtimet e mundshme nuk do të kishin efekte në ekonominë botërore.

Presidenti Obama tha se nuk është e vështirë për të marrë një vendim të thjeshtë. Ai tha se do të ishte e lehtë për ligjvënësit republikanë të gjenin mënyra për të parandaluar 85 miliardë dollarë shkurtime buxhetore që të hynë në fuqi të premten. Përndryshe, paralajmëroi ai, ekonomia e Shteteve të Bashkuara dhe ekonomia botërore do të kishin pasoja.
 
“Këto lloj shkurtimesh arbitrare automatike do të kishin pasoja negative për familjet. Për mësuesit, për prindërit, që mbështeten në programet e herëshme, për gatishmërinë tonë ushtarake, për shërbimet e shëndetit mendor, për kërkimet mjekësore. Kjo nuk është një mënyrë e zgjuar për të ulur deficitin”,- tha Obama. 
  
Republikanët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve kërcënojnë se do të lejojnë hyrjen në fuqi të shkurtimeve, sepse sipas tyre shpenzimet e mëdha qeveritare janë kërcënimi kryesor për ekonominë amerikane.
 
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Xhon Bejnër, tha se ulja e shpenzimeve duhet të qendrojë në fuqi derisa të vihen në zbatim shkurtime dhe reforma që do të çonin në një buxhet të balancuar.
 
Shtëpia e Bardhë ka bërë thirrje për kombinimin e shkurtimeve më pak të rrepta buxhetore me ngritjen e taksave për të parandaluar shkurtimet automatike të shpenzimeve.
 
Ligjvënësit republikanë thonë se ranë dakord për një raund taksash më të larta në negociatat për të shmangur katastrofën fiskale në fund të vitit 2012, por nuk do të tolerojnë një raund tjetër të tillë.