Këtë të diel shënohet përvjetori i një prej ditëve më të errëta të Amerikës, 15-vjetori i sulmeve terroriste të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara në Nju-Jork, Pensilvani dhe Pentagon.
Në ditën e përvjetorit të 11 shtatorit të vitit 2001, në Shtëpinë e Bardhë është në plan të zhvillohet një ceremoni përkujtimore, ku do të mbahet një minutë heshtje në respekt të viktimave. Më vonë, Presidenti Obama pritet të flasë në një ceremoni në Pentagon për të nderuar njerëzit që u humbën jetën në sulmet e 11 shtatorit.
“15 vjet më parë, një ditë shtatori e cila filloi si çdo ditë tjetër, u bë një nga ditët më të errëta në historinë e vendit tonë”, tha Presidenti Obama në fjalimin e tij të përjavshëm.
Obama kujtoi se “në këto 15 vjet kanë ndryshuar shumë gjëra por e rëndësishme është të kujtojmë se çfarë kanë mbetur të pandryshuara janë vlerat thelbësore që na përcaktojnë se si amerikanë. Aftësia ripërtëritëse që na fuqizon… terroristët nuk kanë për të qenë kurrë të aftë t’i mundin Shtetet e Bashkuara”, tha Presidenti i SHBA-së.
Rreth 3000 jetë të pafajshme humbën në atë ditë shtatori të kobshme. Ata ishin të profesioneve të ndryshme, u përkisnin racave dhe besimeve të ndryshme fetare, nga e gjithë Amerika dhe nga vende të tjera të botës.





