26 nëntor 2015 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama ka uruar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanin me rastin e festës së Pavarësisë.
Në një mesazh urimi, Obama ka uruar të gjithë popullin shqiptar, duke e konsideruar këtë festë edhe si një rast reflektimi mbi partneritetin e fortë e të qëndrueshëm që kanë SHBA-ja dhe Shqipëria.
Gjatë urimit të tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë Obama shton se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Shqipërinë drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik.
Urimi i Obamës:
“Ju shpreh urimet më të mira për ju dhe popullin shqiptar edhe në emër të popullit amerikan me rastin e 28 Nëntorit, Ditës suaj të Pavarësisë.
Ky shënon edhe një rast për të reflektuar mbi partneritetin e fortë dhe të qëndrueshëm që gëzojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria, ashtu siç u nënvizua edhe nga nënshkrimi në prill i Partneritetit Strategjik SHBA – Shqipëri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë që të përparojë në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik.
U jam mirënjohës kontributeve të Shqipërisë në drejtim të rritjes së paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan si dhe anembanë botës. Ato përfshijnë edhe ndihmesën e vlefshme të Shqipërisë si pjesëtare e Koalicionit Ndërkombëtar që lufton ISIS-in dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm në rajonin e Ballkanit. Unë pres që në këtë drejtim dhe në shumë fusha të tjera të rëndësishme, ta thellojmë bashkëpunimin tonë gjatë viteve në vazhdim.
Edhe njëherë, ju shpreh urimet e mia ndërsa ju kremtoni këtë ditë të gëzuar!”
/portali DurresLajm/