TIRANE- Për çdo ditë e më tepër ky fenomen i rrezikshëm po vë përballë një rreziku serioz fëmijët e vendit tonë. Sipas specialistëve kjo vjen si pasojë e kequshqyerjes që në fëmijërinë e hershme të tyre. Ky fenomen është hasur dendur tek fëmijët e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare, por edhe te fëmijët e kopshteve dhe çerdheve. Ky shqetësim është ngritur edhe nga Shoqata e Konsumatorit Shqiptar ku sipas tyre duhet të bëhet kujdes me shëndetin e fëmijëve, pasi në ambientet e shkollave janë shtuar ndjeshëm njësitë e tregtimit, ku tregtohet ushqim i shpejtë apo i ambalazhuar, të cilat kanë një ndikim negativ në shëndetin e fëmijëve. Sipas kryetarit të kësaj shoqate Islam Cani, janë shtuar ndjeshëm fast food-et në afërsi apo brenda ambienteve të shkollave, të cilat kanë ndikim negativ për mbipeshën e nxënësve. Ai ka apeluar që shteti si mbrojtësi kryesor i konsumatorëve duhet të hartojë politika në mbrojtje të konsumatorëve; si në mbështetjen e organizatave të pavarura dhe në dhënien e fondeve për edukimin e konsumatoreve.
FAST FOOD-ET
Mbipesha ka qenë një problem që në vendin tonë nuk është hasur më parë, por këto 10 vitet e fundit ky problem mbarëbotëror po sjell shqetësime dhe në Shqipëri. Shoqata e Konsumatorit e ka ngritur këtë shqetësim. Sipas tyre është vënë re se ka një shtim të madh të njësive tregtuese në kryeqytet dhe në disa qytete si Durrës, Vlorë, Korçë, Elbasan, Fier, Lezhë, Shëngjin. "Rritja e këtyre pikave në Tiranë, por edhe në shumë qytete të tjera në krahasim me vitin e kaluar është dyfishuar",- ka deklaruar Islam Cani. Duke cilësuar ndër të tjera se konsumi i tyre është i frikshëm nga shtimi i këtyre subjekteve në territorin e shkollave, në institucionet shëndetësore, në fushat sportive, pranë tregjeve dhe kudo ku ka grumbullime njerëzish. "Nga përdorimi i këtyre ushqimeve të shpejta me përmbajtjen e tepërt të yndyrës, sheqerit dhe kripës, brumit (me shumë amidon), të cilat shoqërohen me cilësitë dhe vetitë e tyre si: Shtimi në peshë sidomos tek fëmijët tek të cilët mbipesha jep deformime në strukturën e trupit të tyre, që shoqërohen dhe me pasoja si: Diabeti në mosha të reja, çrregullime në sistemin kardiovaskular, rritja e tensionit, për të cilat shpeshherë njerëzit këtë mbipeshë e mbidhjamosje e quajnë si shëndet të mirë",- ka deklaruar kryetari i Shoqatës së Konsumatorit, Islam Cani.
STUDIMI
Instituti i Shëndetit Publik ka kryer një studim në shkollat 9-vjeçare për rastet e obezitetit te fëmijët. Sipas studimit, është shtuar numri i fëmijëve obezë në zonat urbane. Nga studimi, rezulton se mbipesha, sidomos te moshat e vogla, mbetet një situatë në rritje, si për efektet potenciale, ashtu dhe ato psikike. Të dhënat e studimit tregojnë se rreth 15.2% e fëmijëve janë mbipeshë dhe 3.8 % e tyre, obezë. Specialistët e Shëndetit Publik pohojnë se obeziteti është më i dukshëm tek fëmijët e zonave urbane nga ato rurale. Të rëndësishme janë krahasimet e obezitetit tek fëmijët në shkollat publike dhe ato jopublike. Sipas studimit, numri i fëmijëve mbipeshë në shkollat jopublike është 2 herë më i lartë se në shkollat publike.