Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) njofton se nesër, më 11 gusht 2025, në orën 07:30, do të kryhet një shpërthim i kontrolluar për prishjen e një objekti trekatësh të ndërtuar pa leje pranë aksit rrugor Vlorë–Orikum.
Operacioni do të zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat Xheniere të Forcave të Armatosura dhe Policinë e Shtetit.
Në funksion të sigurisë publike dhe mbarëvajtjes së operacionit, IKMT u kërkon qytetarëve dhe biznese të zonës bashkëpunim për respektimin e perimetrit të sigurisë dhe masave të ndërmarra.
Gjithashtu, është planifikuar bllokimi i përkohshëm i qarkullimit në aksin Vlorë–Orikum dhe ndërprerja e energjisë elektrike në zonën përreth, pak minuta para shpërthimit.
“Të hënën, më datë 11.08.2025, në orën 07:30, IKMT ka planifikuar të kryejë prishjen me shpërthim të kontrolluar të një objekti trekatësh beton-armë, i ndodhur pranë aksit rrugor Vlorë–Orikum.
Ky aksion do të zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat Xheniere të Forcave të Armatosura dhe Policinë e Shtetit.
Për demolimin e këtij objekti:
Janë shtrirë 1,100 metra linearë fitil detonant
Janë planifikuar 32 kilogramë lëndë plasëse
Për të minimizuar ndikimin në zonën përreth dhe për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit turistik, shpërthimi do të kryhet në orët e para të mëngjesit.
Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë marrë të gjitha masat e nevojshme që operacioni të realizohet me sukses.
Për këtë arsye, do të bllokohet përkohësisht aksi rrugor Vlorë–Orikum, si dhe është rakorduar me strukturat përkatëse për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike 15 minuta përpara shpërthimit.
Gjithashtu, janë marrë masat për praninë e mjeteve zjarrfikëse, ambulancave dhe personelit përkatës.
Të gjithë pronarët e objekteve pranë perimetrit të sigurisë janë njoftuar, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre dhe duke i informuar për masat mbrojtëse që duhet të ndërmarrin për të shmangur dëmtime të mundshme.
IKMT kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe bizneseve që operojnë në këtë zonë. Ju sigurojmë se, në bashkëpunim me strukturat ligjzbatuese, do të vijohet me ndërhyrjet me forcën e ligjit ndaj çdo ndërtimi pa leje në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ftojmë të gjithë qytetarët të kontribuojnë në portalin hapsiraimepublike.gov.al, për të vijuar këtë proces pa kthim të vendosjes së ligjshmërisë, rikthimit të hapësirave publike dhe kontrollit të territorit.
Interesi publik është mbi të gjitha.”, thuhet në njoftim.





