Qendra Muzeore Durrës ka publikuar në Facebook elementet e një tempulli të periudhës arkaike, me cilësi mjaft të veçanta që ndodhet në Muzeun Arkeologjik.
Bëhet fjalë për kokë sfinksi (Sfinks- krijesë mitologjike me kokë gruaje dhe trup luani), një objket i rëndësishem arkeologjik, i cili është zbuluar pranë varrezave të sotme të qytetit në vitet ’80.
POSTIMI I PLOTË
A e dini se në Muzeun Arkeologjik të Durrësit ndodhen elemente të një tempulli të periudhës arkaike, me cilësi mjaft të veçanta? Me njërin prej tyre po ju njohim sot:
Kokë sfinksi (Sfinks- krijesë mitologjike me kokë gruaje dhe trup luani)
Ky objekt i rëndësishem arkeologjik është zbuluar pranë varrezave të sotme të qytetit në vitet 80 , rrëzë nje kodre dhe në të njëjtin vend janë, gjetur dhe tre koka luani prej terrakote, disa fragmente terrakote të pikturuar me motive të meandrit, fragmente akroteresh në formë palmetash, tjegulla solene e kaliptere etj.
Këto janë elemente prej terrakotë të një tempulli të periudhës arkaike në Dyrrah, i cili daton në cerekun e parë të shek VI p.e.s
Koka është ajo e një vajze të re, të stilizuar sipas mënyrës arkaike me përmasa: lartësi 36 cm dhe gjerësi 24 cm, ku janë ruajtur gjurmë të dukshme të pikturimit të saj, duke na njohur me një zhvillim të lartë të artit arkaik, të aplikuar në arkitekturen e kohës .
Në fytyrën e vajzës vihet re qartë një shprehje enigmatike me një buzëqeshje karakteristike e njohur si “buzëqeshja arkaike”.
Dallohen sytë e mëdhenj në formë bajameje, hunda e gjatë dhe e drejtë, e vetullat të ngritura lart. Gjithashtu duken flokët e stilizuar si paruke , dhe mbi kokë ka një lloj kurore me motivin e meandrit të pikturuar .
Nje kokë sfinksi, akroter e stilit korintik e ngjashme prej terrakote ndodhet ne Muzeun e Luvrit në Paris.