28tetor 2015 – Mesfushori i skuadrës së Teutës, Emiljao Musta, duket sikur është abonuar me golin, pasi në ndeshjet e fundit ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Elbasanasi realizoi golin e parë për skuadrën e tij në ndeshjen ndaj Laçit, duke i hapur rrugën dhe golit të barazimit në minutën e fundit të takimit të shënuar nga Lamçja.
Mesfushori shprehet shumë i lumtur për atë barazim dhe për faktin se shënoi një gol kaq me vlera për ekipin. Musta mendon se ekipi tregoi grintë të lartë dhe dha maksimumin në një ndeshje të vështirë. “Ishte një ndeshje shumë e vështirë, pasi pësuam dy gola dhe e ishim në gjendje ta barazonim rezultatin në gjashtë minuta, për t’i dhënë një pikë ekipit. Jam shumë i gëzuar, për faktin se shënova gol dhe kjo gjë e ndihmoi ekipin të merrte një pikë të artë duke vazhduar rrugën e rezultateve pozitive. Pësuam dy gola dhe çdo ekip në një situatë të atillë do të demoralizohej, por me këshillat e trajnerit dhe grintën tonë besuam deri në fund që ajo ndeshje nuk kishte përfunduar, por kishte ende minuta për të besuar në shënimin dhe barazimin e rezultatit”, ka thënë Musta, i cili më pas ka vazhduar duke komentuar takimin me kurbinasit.
“Besoj se dhe tifozët panë një Teutë që nuk u dorëzua, një skuadër që tregoi që dhe pak minuta lojë janë të mjaftueshme për të besuar dhe për të marrë pikë ashtu dhe për t’i humbur ato”, pohoi futbollisti. Javën e ardhshme Teuta do të presë në shtëpi skuadrën e Partizanit, e cila po kalon një moment mjaft të mirë në kampionat, ky kryeson e vetme dhe ka arritur të fitojë ndaj Skënderbeut në ndeshjen e fundit. “Po mendojmë për Partizanin, pasi ajo është një sfidë edhe më e vështirë. Të kuqtë po tregojnë forcë dhe janë një ekip që ka rritje nga ai i sezonit të shkuar. Jo më kot kjo skuadër udhëheq kampionatin, duke mundur dhe kampionët në fuqi të Skënderbeut. Ne do bëjmë maksimumin tonë, pasi luajmë në shtëpi dhe shpresoj të kemi përqendrim më të madh se me Laçin dhe po atë shpirt gare që treguam në atë ndeshje. Megjithatë, deri te ndeshja kemi kohë ta përgatisim dhe të them të drejtën për mua është emocion më vete, pasi kam qenë pjesë e Partizanit, por do të jap maksimumin tim që ta fitojmë atë përballje. Jam pjesë e këtij grupi e projekti dhe deri në minutën e fundit të çdo ndeshje që do luaj, do mundohem të jap më të mirën time”, ka përfunduar Musta.
/portali DurresLajm/