Kjo është gjendja në të cilën ndodhen ambientet e jashtme të godinës së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Durrës.

Një oborr në gjendje tërësisht të degraduar, me gropa të stërmëdha, të mbushura plot ujë.

Shqetësimi për infrastrukturën e ambienteve të jashtme është ngritur shpeshherë nga MZSH Durrës dhe në fillim të muajit tetor (datë 4), bashkia zhvilloi tenderin “Sistemimi i ambienteve të jashtme të godinës së MZSH”, me vlerë 2.583.330 lekë.

Megjithëse firma fituese Aida Construction është shpallur që në datë 18 tetor dhe investimi i parashikuar për t’u kryer duhet të mbyllet brenda dy javëve, sot, kur data shënon 12 dhjetor, në ambientet e jashtme të godinës së Zjarrfikëses nuk realizuar asnjë ndërhyrje.

Burime nga MZSH Durrës, jashtë kamerës, shprehen të shqetësuar për vonesat që konstatojnë në realizimin e investimit.

Nga verifikimet që “DurrësLajm” kreu, kontrata mes bashkisë dhe firmës fituese ende nuk është lidhur, megjithëse afati ligjor prej 60 ditësh (që nga shpallja e fituesit e deri në lidhjen e kontratës) është drejt përfundimit.

Në të njëjtën kohë, tenderi klasifikohet me Flamur të kuq nga databaza Open Data Albania. Në tender kanë marrë pjesë vetëm 2 kompani, nga të cilat ASI INVEST shpk është skuailifikuar, pasi ka paraqitur oferte ekonomike anomalisht të ulët.

Sipas Open Data Albania, tenderi në fjalë klasifikohet me nivel të lartê risku për shkak se është bërë skualifikimi i të gjithë operatorëve konkurrues përvec fituesit, si dhe për shkak të skualifikimit të ofertës vlerë më e ulët.

M.B.