Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerësoi se rreth 10 për qind e popullsisë në botë është infektuar me koronavirus, ndërsa shumica e njerëzve mbeten të cenueshëm nga simptomat e COIVD-19.

Majk Rajan, i cili udhëheq ekipin e emergjencave pranë OBSH-së, tha se pandemia “nuk po shuhet”.

Shpërthimet e sëmundjes janë në rritje sidomos në Azinë Juglindore dhe Evropë, tha ai.

“Vlerësimet tona më të mira aktuale tregojnë se rreth 10 për qind e popullsisë globale mund të jetë infektuar nga ky virus. [Shifra] ndryshon varësisht nga vendi, nga zonat urbane dhe rurale dhe nga grupet. Por, ajo që do të thotë është se shumica e botës mbetet në rrezik”, tha Ryan.

Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, janë konfirmuar mbi 35 milionë njerëz të prekur me koronavirus në gjithë botën.

Prej tyre, mbi një milion kanë vdekur dhe mbi 24.5 milionë janë shëruar.

Rajan po ashtu tha se OBSH-ja ka dorëzuar tek autoritetet kineze një listë ekspertësh, që do të merrnin pjesë në një mision ndërkombëtar në Kinë, për të hetuar origjinën e koronavirusit.

Nëse vlerësimi i OBSH është i saktë atëherë bëhet fjalë për rreth 780 milionë të prekur nga koronavirusi, një numër shumë më i lartë se ai i rasteve të konfirmuara.