Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se një numër rekord prej 2.8 milionë rastesh të reja me COVID-19 janë raportuar në mbarë botën gjatë shtatë ditëve të fundit, duke përfshirë 40,000 vdekje të reja.
Agjencia shëndetësore e OKB thotë se Evropa ka përqindjen më të madhe të rasteve të reja të njoftuara për të dytën javë radhazi me më shumë se 1.3 milionë raste, një rritje prej 33% krahasuar me javën e mëparshme.
Shifrat tregojnë gjithashtu se rastet janë po ashtu në rritje në Amerikë, rajonin e Mesdheut Lindor dhe atë afrikan, ndërsa rënie vazhdon të raportohet në Azinë Juglindore. Rajoni i Paqësorit Perëndimor gjithashtu tregoi një rënie të lehtë të rasteve të reja dhe vdekjeve gjatë periudhës shtatë ditore.
OBSH-ja tha se vendet që raportuan numrin më të lartë të rasteve gjatë javës së kaluar janë India, Shtetet e Bashkuara, Franca, Brazili dhe Britania, të njëjtat vende si tre javë më parë.
Virusi ka prekur madje operacionet në selinë qëndrore të OKB-së në Nju Jork. Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme Volkan Bozkir anuloi të gjitha takimet fizike të martën pasi pesë punonjës të misionit të Nigerise në organizatën botërore u testuan pozitivë për COVID-19.
Sipas të dhënave të përpiluara nga qendra Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara kanë raportuar një rekord prej 502,828 rastesh të reja me COVID-19 gjatë javës së kaluar. Rekordi i mëparshëm prej 481,519 raste të reja ishte regjistruar për javën që përfundoi më 24 tetor.
Një rajon që ka patur një numër të lartë të rasteve të reja COVID-19 në SHBA është ai qëndrës perendimore, veçanërisht shteti i Illinoit, ku guvernatori J.B. Pritzker ka vendosur një raund të ri kufizimesh, veçanërisht në Çikago, qyteti i tretë më i madh i vendit. Guvernatori njoftoi të martën një ndalim të të gjitha shërbimeve brenda në bare dhe restorante duke filluar nga e premtja në mesnatë.
Kryetari i bashkisë në Denver të Kolorados, Michael Hancock ka urdhëruar restorantet dhe bizneset e tjera të kufizojnë numrin e klientëve nga 50% në 25%, pasi kryeqyteti i këtij shteti raportoi një rekord ditor me 327 raste të reja të koronavirusit të dielën.
Shtetet e Bashkuara udhëheqin botën me më shumë se 8.7 milionë raste të COVID-19, dhe gati 226.700 vdekje.
Në përpjekje për të zhvilluar një vaksinë të re të koronavirusit, kompania farmaceutike amerikane Pfizer tha se provat e saj me vaksinën eksperimentale, që po zhvillon me kompaninë BioNTech të Gjermanisë, që janë në fazën përfundimtare, nuk kanë arritur një rezultat domethënës, duke e bërë të pamundur që ajo të hidhet në treg përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.
Kompania tha se ka patur më pak se 32 infeksione me COVID-19 mes 44,000 vullnetarëve të saj, një pikë referimi e nevojshme për të përcaktuar nëse vaksina është e sigurt dhe e efektshme./VOA