Europa tani është kthyer në epiqendrën e koronavirusit në botë, me shfaqjen e më shumë rasteve të përditshme në kontinent, sesa kishte Kina në kulmin e shpërthimit të saj, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit.

Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus e bëri vlerësimin të premten, me shënimin e 5,000 vdekjeve globale nga Covid-19. Pretendimi se Europa tani po e tejkalon Kinën në kulmin e saj është veçanërisht i habitshëm, sepse popullsia e kontinentit me rreth 740 milionë banorë, është shumë më e paktë se popullsia e Kinës, me rreth 1.4 miliardë banorë.

“Evropa tani është bërë epiqendra e pandemisë”, u tha Tedros gazetarëve në Gjenevë, pa siguruar shifra për krahasimin e tij me Kinën. Repartet e urgjencës janë shfaqur në të gjithë Evropën ndërsa paniku përhapet në kontinent, me Emmanuel Macron në Francë që bëri thirrje për kontrolle më të ashpra kufitare.

Mjekët kanë punuar nga tenda në Itali dhe Poloni me pacientë të vendosur në shtretër të përkohshëm, ndërsa ata janë testuar për virusin, i cili tani ka vrarë më shumë se 1,200 njerëz në Evropë. Miliona nxënës shkolle kanë qëndruar në shtëpi në të gjithë kontinentin pasi Franca, Portugalia, Irlanda, Malta, Belgjika, Zvicra dhe Luksemburgu u bënë vendet e fundit që mbyllën shkollat e tyre. Europa ka tani në total 28,550 raste, më shumë se gjysma në Itali, si dhe 1,198 të vdekur.